Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar një diskutim publik me deputetë dhe shoqërinë civile lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se nuk është obligim vetëm i Ministrisë së Kulturës ta ruajë trashëgiminë kulturore, por edhe i institucioneve qendrore dhe atyre lokale.
“Pa dyshim që edhe Komisioni Parlamentar ka pasë një qasje dinamike për ta trajtuar këtë temë, janë probleme të shumta që e për përcjellin fushën e trashëgimisë kulturore, padyshim që mbrojtja ruajtja e trashëgimisë kulturore është e përcaktuar si një nga prioritetet e mia si ministër, me angazhimet tona po mundohemi të konsolidojmë edhe më shumë gjendjen në teren. Ruajtja për trashëgiminë kulturore nuk është vetëm në mandatin e Ministrisë së Kulturës, por i obligon edhe institucionet lokale dhe qendrore ta ruajnë atë. Jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme të shtohet numri i punonjësve profesional në kuadër të trashëgimisë kulturore”, tha ai.
Gashi tha se nuk është i mjaftueshëm edhe buxheti krahas kërkesave dhe nevojave që ka trashëgimia kulturore.
“Nuk është i mjaftueshëm edhe buxheti krahas kërkesave dhe nevojave që ka trashëgimia kulturore. Dy vitet e fundit nuk ka pasë ndonjë ndryshim të madh pozitiv. Një përpjekje e vazhdueshme e jona ka qenë themelimi dhe funksionalizmi i mekanizmave, vitin e kaluar ne kemi themeluar edhe Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore edhe pse numri i inspektorëve që nga themelimi i tyre është dukshëm i vogël. Inspektorët deri më tanë kanë proceduar 9 kallëzime penale. Ne jemi në proces të hartimit të Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe do bëjmë çmos që këtë ligj ta funksionalizojmë. Mospërfshirja e aseteve në nivel të planifikimit ka rrezikuar shumë prej tyre”, tha Gashi.
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se fusha e trashëgimia kulturore kërkon një kujdes shumë të veçantë.
“Është hera e parë që bëhet monitorimi i këtij ligji. Unë mendoj që raportet dhe gjetjet flasin vet, ato thjeshtë e tregojnë punën në teren. Në komisionin tonë një nga shqetësimet më të ngritura kanë qenë nga dy ish-anëtarë të bordit KKTK-së që nuk po munden ta kryejnë punën e tyre si duhet. Mendoj që kjo fushë duhet të ketë një kujdes të veçantë”, tha ajo.
Sali Shoshi, ekspert për çështje të trashëgimisë kulturore, i angazhuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se institucionet kanë arritur që vetëm 23 asete nga lista prej 1595 asete, t’i përfshijnë në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme.
“Mungesa e të dhënave hapësinore dhe kadastrale ka ndikuar edhe në mos përmbushjen e obligimit ligjor, sipas nenit 4 i cili i obligon që “objektet e trashëgimisë kulturore të përfshira në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, regjistrohen në Agjencionin Kadastral dhe Gjeoded të Kosovës në të dy nivelet qendror dhe lokal. Në anën tjetër institucionet kanë arritur që vetëm 23 asete nga lista prej 1595 asete t’i përfshijnë në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme. Kjo situatë është si pasojë e komunikimit të pamjaftueshëm institucional dhe për shkak të performancës të dobët të institucioneve kompetente”, tha Shoshi, raporton Ekonomia Online.
KDI-ja i rekomandoi Kuvendit të Kosovës të përzgjedhë dhe votojë anëtarët e KKTK-së. Ata i rekomunduan KKTK-së që të rritë komunikimin dhe bashkëpunimin me MKRS-në.
Ndërsa Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, KDI i rekomandoi të bashkëpunojë ngushtë me KKTK-në, për të krijuar një sistem të integruar si dhe të finalizoj inventarizimin e trashëgimisë kulturore bazuar në standarde ndërkombëtare.