Gashi për sulmin e Halitit ndaj tij: Një aksident që do duhej të përfundonte në Kuvend

Prishtinë | 04 Jan 2024 | 13:14 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ngjarja e vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës, për çka edhe po akuzohet deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, nuk ka qenë sulm, por një aksident që do të duhej të përfundonte aty, raporton Ekonomia Online.

Sipas Gashit, nuk a pasur asgjë personale mes tij dhe Halitit, përveçse një debati në Kuvend.

Këtë deklaratë, ai e ka bërë në seancën gjyqësore të enjtën, ku Haliti akuzohet se ka sulmuar Gashin në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit 2018. Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e shtetit Merita Shala- Muhaxhiri, më datën 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës Xhavit Haliti me dashje e ka sulmuar deputetin Arben Gashi.

Mirëpo, ky i fundit, konsideron se e gjithë ngjarja ka qenë një aksident, dhe meqenëse nuk ka natyrë personale, do të duhej të përfundonte në Kuvend.

Edhe i akuzuari, Xhavit Haliti ka thënë se me Gashin kanë pasur gjithmonë raporte të mira, edhe si fqinj, por edhe si deputetë. Ai madje ka thënë se një javë pas ngjarjes, ai dhe Gashi, janë përqafuar në korridorin e Kuvendit.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Halitit, Kujtim Kërveshi, ka kërkuar që provat e paraqitura nga Prokuroria, në këtë rast video-incizimet, të jenë “autentike”.

Sipas tij, incizimet e paraqitura janë të prera dhe të rregulluara me montazh për shërbime mediale dhe “është e çuditshme pse Prokuroria propozon incizime të komentuara dhe të analizuara nga mediume”.

“Kane qenë dy incizime nga dy mediume të ndryshme, të njëjtat janë të prera dhe të rregulluara me montazh për shërbime mediale përfshirë edhe komentime të të njëjtave si dhe kualifikimin se çfarë ka ndodhur, siç mund ta shihni të shkruar me tekst ‘rrahje mes deputeteve’”.

“Ne besojmë që Gjykata ka rastin ta disiplinojë Prokurorinë dhe të gjitha palët që të sjellin prova në Gjykatë, por edhe ato që i propozojnë me qenë autentike, pa ndërhyrje të plota dhe burimore. Në ato dy incizime shihet qartazi se ngjarja është e shkëputur dhe e prerë në montazh. Siç e thashë në fjalën hyrëse, është e çuditshme pse Prokuroria propozon incizime të komentuara dhe të analizuara nga mediume kur në publik ekziston së paku një video pa ndërhyrje dhe pa zë. Propozoj që në një afat sa më të shpejtë, video-incizimi të kërkohet pa ndërhyrje dhe prerje”.

Xhavit Haliti ka thënë se me deputetin Gashi kanë pasur gjithnjë marrëdhënie të mira, edhe si fqinj. Ai ka përmendur edhe raportin miqësor me babain e tij, Xhemajl Gashin. Haliti madje ka thënë se një javë pas ngjarjes, ai dhe Gashi, janë përqafuar në korridorin e Kuvendit.

“Nuk më kujtohet shumë mirë, nuk e di nëse mora në thu, apo ma qiti këmbën dikush, por me rëndësi unë isha duke u rrëzuar dhe jam mbajtur për dikënd, pra ka qenë moment i paplanifikuar. Kam shkuar për të votuar dhe nuk e kamë parë Arben Gashin para se të merrja në thu”.

Ai ka përmendur edhe një rast ku Albin Kurti e ka gjuajtur me shishe e vezë e se “për këto veprime nuk e ka pyetur askush”.

“Albin Kurti më ka gjuajtur me shishe me ujë dhe kur e ka pa që nuk e kam mbyllur seancën më ka gjuajtur me vezë dhe për këto veprime nuk më ka pyetur askush. Këto ngjarje prokurori ka mundur t’i gjej edhe në media”.

“Sa i përket Arben Gashit, ne jemi fqinj pasi që i kemi fshatrat pranë njëri tjetrit. Babën e tij, Xhemajlin, e kam pasur shok dhe në kohën kur kemi vepruar i kemi pasur shokët e përbashkët dhe jam i bindur që kurrë të keqe nuk kemi pasur me njëri tjetrin. Një javë pasi ka ndodhur ngjarja kam folur me Arbenin në korridor të Kuvendit dhe jemi përqafuar dhe vazhdimisht kur jemi takuar kemi buzëqeshur”.

“Absolutisht nuk kam pasur asnjë plan e as nuk kam pasur qëllim me godit Arben Gashin. Nuk kam pasur kurrfarë mosmarrëveshje me Arben Gashin. Në shumicën e rasteve i kam udhëhequr seancat dhe gjatë këtyre seancave ndodh që të ngritën tensionet shumë herë në mes pozitës dhe opozitës. Detyra e kryesuesit të seancës është të veprojë në mënyrë balancues në rastin e dhënies dhe marrjes së fjalë”, ka thënë Haliti.

Arben Gashi ka pohuar se e gjithë ngjarja ka qenë një aksident, i cili do të duhej të përfundonte në Kuvend. Gashi ka thënë se nuk ka pasur asgjë personale me Halitin, vetëm një debat në Kuvend.

“Kjo çështje ka qenë aksidentale. Ka ndodhur në Kuvend dhe do të duhej të përfundonte në Kuvend. Nuk më kujtohet saktë, por ka mundësi të jetë e vërtetë. Arsyeja pse mendoj që është çështje e Kuvendit është sepse debati është bërë në Kuvend, shtyerja ka filluar në Kuvend dhe s’ka pasur asgjë personale, të paktën ashtu e kam konsideruar unë”.

“Kryesuesi i seancës më ka thënë se nuk do të ma japë fjalën dhe pastaj kemi eskaluar në ofendime personale”, ka thënë Gashi, raporton EO.

Po ashtu avokati Kërveshi tha se gjykatësi i rastit është duke paragjykuar çështjen, kështu ai ka kërkuar përjashtimin e tij nga rasti.

“Ju si gjyqtar përveç që e paragjykoni çështjen, angazhimi juaja që ky shqyrtim gjyqësor të mbahet në afate të cilat juve ju shqetëson më shumë parashkrimi se barazia e armeve dhe gjetja e të vërtetës materiale. Kërkesa ime për përjashtimin e juaj behet për të gjitha arsyet që i thash më lartë dhe se besoj dhe vlerësoj se organi vlerësues do të i lexoj proces verbalet dhe propozimet e bëra”, tha avokati në seancë.

PAMJE NGA SULMI QË KISHTE NDODHUR MË 18 MAJ 2018:

©ekonomia online

Të ngjashme