Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka raportuar sot në takimin e Këshillt Prokurorial të Kosovës, duke deklaruar se kanë pasur raste të suksesshme duke aplikuar mënyrën e zgjidhjes së lëndëve me ndërmjetësim, raporton Ekonomia Online.
Gashi tha se në total gjatë vitit 2025 kanë pasur mbi 2 mijë lëndë të zgjidhura, duke shtuar se në total kjo Prokurori aktualisht ka në punë 10 prokurorë.
Po ashtu, Gashi deklaroi se procedurat alternative të përdoruara nga ana e Prokurorisë kanë dalë të nevojshme dhe se në të gjitha rastet kur lejon ligji, kanë zbatuar këto procedura.
Kryeprokurori theksoi se ka mbajtur kolegjiumet siç përcaktohet me ligj dhe se shqyrtimet e detyrueshme i ka bërë për secilën lëndë që e ka parë të nevojshme dhe për këto raste janë evidentuar përmes shënimeve zyrtare.
Po ashtu, Gashi tha se personalisht edhe pse mban pozitën e Kryeprokurorit, mban edhe kujdestarinë në Departamentin për Krime të Rënda, si dhe për një periudhë kohore edhe në atë për të Mitur.
I pyetur nga anëtari Milot Krasniqi, Gashi deklaroi se për pezullim të procedurave nuk ka të dhëna por se mund t’i përcjellë ato.
Lidhur me përdorimin e SMIL-it, kryeprokurori Gashi tha se të gjithë prokurorëte përdorin këtë sistem dhe të gjitha aktet trajtohen përmes atij programi. Tha se problemi i vetëm është mungesa e kohës për shkak të angazhimit nëpër seanca e që mund të krijohen pastaj vonesa.
Gashi tha se, sipas analizimit të rrethanave, janë në mungesë të tetë prokurorëve.
Në fund, raportimi i Gashit, u miratua nga anëtarët e Këshillit.

