Më shumë se 800 dëshmitarë dhe 100 të dyshuar janë intervistuar nga Prokuroria Speciale, që nga formimi i saj nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Këto të dhëna i ka bërë të ditur avokati Tomë Gashi gjatë një intervistë për EkonomiaOnline, i cili thotë se Gjykata Speciale, nuk do ta presë formimin e Qeverisë së re dhe se aktakuzat ndaj personave potencialë mund të ndodhin në çdo kohë.
“Në aspektin formal Gjykata Speciale nuk ka arsye që të presë formimin e Qeverisë së re, apo marrjen e mandatit nga kryeministri i ardhshëm i Kurtit dhe formimi i qeverisë nuk ka të bëjë fare me Gjykatës Speciale. Mirëpo, sa i përket akuzimit të personave potencialë, Gjykata Speciale mund të ndodh në çfarë do forme dhe saktësish dhe kur do të akuzohet këtë e di vetëm Zyra e Prokurorit Special, e cila poashtu është në Hagë. Ne mendojmë se tani më dihet se janë intervistuar më shumë se 100 të dyshuar dhe më shumë se 800 dëshmitarë të mundshëm dhe formimi i kësaj Gjykate, sado që është i dëmshëm për shqiptarët por posaçërisht për pjesëtarët e UÇK-së, tani më është punë e kryer dhe ne nuk mund të presim mund ta ndalë ushtrimin e mandatit të saj për shkak të çështjeve politike siç janë zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Gashi.
Duke u bazuar në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, në mesin e të akuzuarve mund të jetë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Avokati Gashi, shpreson që Presidenti Thaçi ta mbajë fjalën dhe të dëshmojë për luftën e pastër të UÇK-së.
“Tani mund të jetë i akuzuar edhe vet Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe të tjerët që e kanë emrin në raportin e senatorit Dick Marty. Personalisht shpresoj mos të jetë Thaçi i akuzuar, sepse askush në botë nuk dëshiron që presidenti i shtetit të akuzohet për krime të cilat i supozon raporti i senatorit Marty. Por edhe nëse ngritët një akuzë e tillë, unë besoj që as atij vet nuk do t’i vijë befasi, përshkak që Thaçi ka qenë njëri prej atyre më të zëshëm që u ka bërë presion deputetëve të tij që ta votojnë aprovimin e Gjykatës Speciale. Dhe nëse kjo ndodh atëherë ne shpresojmë që Thaçi ta bindë Gjykatën Speciale për pastërtinë e Luftës së UÇK-së dhe sigurisht se i dëshirojmë të lirohet nga akuzat eventuale që mund t’i ketë”, ka thënë Gashi për EO.
Gashi ka thënë se nuk duhet të befasohet askush që ka parë emrin në raportin e Dick Martit. E shumica prej tyre, mund të jenë të dyshuar.
“Se kush do të jenë të akuzuarit e parë apo të fundit këtë përsëri askush nuk e din por secili që e gjen emrin e vet në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, nuk duhet t’i vijë kurrfarë befasie nëse merr ftesë, qoftë në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit. Besoj se shumica prej tyre do të jenë të ftuar në Gjykatën Speciale, në cilësinë e të dyshuarve dhe jo të dëshmitarëve dhe pa marr parasysh se kush mund të jetë i ftuar, qoftë i ndonjë rangu në Kosovë apo posti që ka pasur më herët apo që ka tani, askush nuk ka përjashtim prej ndjekjes penale dhe kështu është vendosur me nxjerrjes së ligjit për Gjykatës Speciale, që mjerisht e kanë bërë deputetët e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015”, ka thënë Gashi.
Pas më shumë se tri vitesh votimi nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar dërgoi ftesat e para për disa ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ftesa e parë erdhi për ish-komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa-Remin, i cili paslufte ishte deputet nga radhët PDK-së në parlamentin e Kosovës.
Pas Remit, pasuan ftesat edhe për Sami Lushtakun (Zona Operative e Drenicës), Sokol Dobruna (Gjykata ushtarake e UÇK-së), Nazif Mehmeti (një nga komandantët në Zonën Operative të Llapit), Remzi Shala, (komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”), e disa të tjerë.