Humolli skeptik se Gjykata Speciale mund të japë vendime të drejta

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Në sesionin e parë të gjykimit të së mërkurës, në rastin e Salih Mustafës, dëshmitari Fatmir Humolli ka thënë se është skeptik se Gjykata Speciale mund të japë vendime të drejta.

Ndryshe, Humolli është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe dëshminë e tij e ka filluar të martën në këtë gjykim, ku Mustafa po akuzohet për krime lufte.

Fillimisht, prokurori Cezary Mihailzcuk e ka lexuar një citat të tij, ku kishte krahasuar Gjykatën Speciale me Guantanamon dhe e ka pyetur çka do të thotë me këtë krahasim.

“Është saktë që kur u bombardonin popullata civile, teknologjia e NATO-s nuk e shihte formacionet serbe duke luftuar kundër popullatës civile, për mua që njoh armët e teknikën është absurde qysh s’i kanë pa që luftonin kundër popullatës civile”, ka thënë ai.

Tutje ai foli për gjykimet që kanë ndodhur në Prishtinë e në Hagë.

“Në Prishtinë e Hagë ka pas gjykime ndaj anëtarëve të UÇK-së se gjoja kanë bërë krime, janë dënu e gjyku në Hagë e në Prishtinë. Komandanti i Salih Mustafës është gjyku në Prishtinë dhe me çfarë arsye ka pas të drejtë Kuvendi ose i ka bërë presion Kuvendit që me u bo kjo gjykatë, ku ne po folim me gjuhë të ndryshme, kur ka mundur të bëhet gjykimi në Prishtinë si i Rrustem Mustafës, Sylejman Selimit dhe eprorëve që janë dënu e gjyku në Prishtinë”, tha Humolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Humolli pyeti se me çfarë mund të arsyetohet në kuptimin politik, që është e drejtë një gjykatë e tillë, ndërsa shtoi se mendimet e tij i thotë në opinion e edhe në Kuvend.

“Mendimet e mia edhe në opinion e Kuvend i them se kjo gjykatë është bërë prej presionit të miqve të Serbisë për me pengu zhvillimin e Kosovës, duke pas një gjykatë të tillë, asnjë investim serioz nuk vjen sot në Kosovë se çdo investitor kur e sheh që Kosova nuk ka mundësi me i gjyku njerëzit e vet, ai nuk rrezikon me investu”, deklaroi dëshmitari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme