Bujar Gashi, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, beson se të premten do t’i ndahet edhe një partie politike gjoba për tubim masiv. Me këtë do të rritet në tetë numri i gjobave për partitë për shkelje të masave anti-COVID.
Gashi, në Deskun e KOHË-s, tha se ajo çfarë po bëjnë partitë me tubimet masive duhet të dënohet nga të gjithë.
Madje, këtë trend e ka parë si të rrezikshëm, meqë sipas tij, ka mundësi të dalë prej kontrolli kur të nisë edhe zyrtarisht fushata, më 3 shkurt.
“Duke e marrë parasysh që ende nuk ka filluar fushata, e shoh bukur të rrezikshme, sepse veç po bëhet një vit duke kërkuar nga qytetarët që të zbatojnë rekomandimet. Mendoj që institucionet duhet të jenë shembull. Frikësohem se kur të fillojë fushata do të ketë edhe më shumë mosrespektim të masave”, ka thënë Gashi.
Ai shpreson se gjobat që ka ndarë Inspektorati i Komunës së Prishtinës të shërbejnë për vetëdijesim, për institucionet dhe partitë.
“Jeta e qytetarëve është shumë më e rëndësishme, më shumë se çdo fushatë, çdo votë e çdo pozitë”, u shpreh Gashi.
Ai shtoi se partitë mund të bëjnë edhe fushata virtuale, duke shmangur tubimet. Sipas tij, qëkur ka nisur pandemia, shumica e mbledhjeve janë mbajtur në distancë.
“Duhet qortuar nga çdo ekspert dhe profesionist shëndetësor kjo që po ndodhë. Nëse nuk ndryshojnë, ndoshta do të mësojnë nga dënimet që po marrin e do të marrin nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës”, tha Gashi.
Inspektorati i Komunës së Prishtinës është i vetmi në Kosovë që ka ndarë deri më tash gjoba për partitë që kanë mbledhur simpatizantë, më shumë se që lejohet me masat e vëna nga Qeveria.