Gashi: Vajzës së lënduar nga rënia e kulmit të komunës i takon kompensimi ligjor, përgjegjësit të marrin dënimet e merituara

Prishtinë | 20 Jan 2024 | 10:47 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rënia e një pjese të kulmit të objektit komunal të Prishtinës këtë të enjte lëndoi rëndë një vajzë 23-vjeçare.

Avokati dhe eksperti i çështjeve ligjore, Tomë Gashi, ka thënë për Ekonomia Online se kjo çështje duhet hetuar nga prokuroria e shtetit.

“Duke pasur parasysh se një vajzë e re, Elza Ujkani ka pësuar lëndime relativisht të rënda dhe është duke u trajtuar në QKUK, kjo pas lirimit duhet të angazhojë një avokat e të kërkojë kompensim të dëmit nga komuna e Prishtinës. Ndërsa detyrë e kanë policia dhe prokuroria e shtetit që të hapin hetime lidhur me arsyet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka ndodhur, si është e mundur që nga një vlerë aq e madhe të ketë një ndërtim aq të dobët.”- ka thënë Gashi.

Tutje, ai ka thënë se objekti i komunës ka kushtuar më tepër se 4 milionë euro, dhe si duket se punët nuk janë kryer aspak në mënyrë kualitative sepse atë ditë nuk ka pasur asnjë lloj stuhie e as uragani, po as frymë.

“Situata është jashtëzakonisht e rëndë duke qenë se sa kam informata objekti i komunës ka kushtuar më tepër se 4 milionë euro, dhe duket se punët nuk janë kryer aspak në mënyrë kualitative sepse atë ditë nuk kemi pasur asnjë lloj stuhie e as uragani, po as frymë kështu që rënia e objektit ka qenë si shkak i punimeve jo kualitative”, shtoi Gashi.

Lidhur me lëndimet që ka marrë 24 vjeçarja, Gashi ka deklaruar se kompensim duhet marrë edhe në bazë të dëmeve fizike e psiçike që iu shkaktuan edhe personave tjerë, e në veçanti familjes së saj.

“Sa i përket kompensimit të dëmit secili që ka pësuar dëme ka të drejtë të kërkoj kompensim në gjykatën themelore dhe dëmshpërblimi duhet të jetë në kuadër të rrezikimit të jetës, fillimisht dhe pastaj dëmeve tjera fizike e psiçike  që i ka shkaktuar vet Elzes dhe persona tjerë e sidomos familjarët kur kanë dëgjuar lajmin se është rrezikuar vet jeta e saj”.

Fajin për këtë dëm, Gashi ua lë atyre që pranuan teknisht ndërtimin e objektit pa i mbushur kriteret e kërkuara.

“Duhet të iniciohet procedura penale sepse ne nuk mund ta dimë se kujt i takon përgjegjësia kryesore, megjithatë besoj se përgjegjësia më e madhe është ajo humane e vet atyre që kanë ndërtuar këtë objekt e ende më e madhe është e atyre që pranuan teknisht, nëse dikush përmes komisioneve e ka bërë pranimin e këtij plani pa i plotësuar kushtet e rregullat sipas planit që ka qenë për ndërtimin e këtij objektit”, tha ai.

Gashi po ashtu tha se duhet të paraqiten kërkesa e padi të tilla si tërheqje e vëmendjes së komunës apo edhe institucioneve tjera private.

“Nuk duhet të jemi neglizhent dhe duhet të paraqesim kërkesa e padi të tilla si tërheqje e vëmendje   që komuna apo edhe institucionet private të kryejnë punë kualitative dhe jo që me shuma marramendëse të paguhen e këto e pastaj të bien e të rrezikohen jeta e qytetarëve të pafajshëm të cilët shkojnë në komunë për të rregulluar dokumente ose janë gjendur thjeshtë në rrethinën përkatës e sidomos kur ka një numër të madh banorësh atje e ka lokale të cila frekuentohen nga qytetarë të ndryshëm”.

Gashi tha se kujdes të madh duhet të ketë edhe në planet e renovimeve.

“Nëse bëhet një renovim duhet bërë në bazë të kushteve teknike qe japin inxhinierët e jo që në letër të duken si ndërtime si të bëra në Zvicër, Gjermani apo Amerikë e këndej kualiteti është jashtë çdo standarti ballkanik e lëre më jashtë çdo standarti tokësore duke pasur çmimet marramendëse”.

“Të mos harrojmë: kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës është renovuar para pak muajsh dhe ka kushtuar 386 mijë euro. Një vajzë është lënduar rëndë, kur kulmi u rrëzua dje. Askush s’ka dhënë dorëheqje, askush s’është arrestuar. A jep kush përgjegjësi?”, ka theksuar avokati Gashi.

Të ngjashme