Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, sot kanë pritur në takim përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë që operojnë në qytetin e Mitrovicës, me të cilët kanë diskutuar lidhur me peticionin e dorëzuar ditën e djeshme për funksionimin e këtyre bizneseve edhe pas orës 21:00 në ambiente të hapura.
Bahtiri gjatë këtij takimi u mundua t’i bind përfaqësuesit e këtyre bizneseve të respektojnë masat e reja nga Qeveria e Kosovës, pasi që është vendim nga niveli qendror dhe duhet të respektohet nga të gjithë, edhe pse mund të jenë të pa analizuara mirë fillimisht dhe krijojnë humbje të parikuperushme bizneseve në fjalë.
“Përfaqësuesit e bizneseve në fjalë theksuan se kanë kërkuar këtë takim me Bahtirin për të cilin kanë respekt të madh me të vetmin qëllim që të jetë i informuar që nuk do ti zbatojnë masat e reja të Qeverisë, ku sipas tyre janë të padrejta, të paligjshme dhe pa logjikë e që nuk ndikojnë fare në parandalimin e virusit COVID-19, vetëm se shkatërrojnë ekonominë e vendit”, thuhet në komunikatë..
Bahtiri potencoi se i kupton brengat e shqetësimet e tyre, dhe së bashku do të kërkojnë nga Qeveria që të rishqyrtohen këto masa të vendosura, por derisa janë në fuqi ato duhet të respektohen patjetër.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e bizneseve të gastronomeve kërkuan që të njoftohen të gjitha mediat e nivelit lokal dhe ato qendror, për mbajtjen e një konference për media, sot me datë 08.07.2020, duke filluar nga ora 15:00, para objektit të Komunës së Mitrovicës, për tu njoftuar me vendimin e marrë nga këto biznese në Mitrovicë.