Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, QKRMT-KRCT, prezantuan “Hulumtimin Epigjenetikë mbi traumën ndërbrezore në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Qëllimet e këtij studimi janë të identifikojnë efektet afatgjate tek fëmijët në rrezik bazuar në reaktivitetin e kortizolit dhe shenjat epigjenetike në mënyrë që të kuptojnë më mirë se si ndodh kjo.
Sipas këtij hulumtimi, gati 30 për qind e fëmijëve kanë nivele anormale (shumë te larta ose të ulëta) të kortizolit, që është hormoni kryesor i stresit i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore.
Vërehet se fëmijët e lindur nga nënat me këtë çrregullim gjatë shtatzënisë kishin me shumë gjasa të kishin nivele te larta te kortizolit (15. 5 për qind) në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa këtë çrregullim gjatë shtatzënisë (3.0 %)
Janë intervistuar 130 gra që kishin përjetuar dhunë seksuale/ tortura gjatë luftës në Kosovë.
Janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.
Ky është studimi i parë i grave që përjetojnë trauma seksuale dhe që rezulton në çrregullim të stresit post- traumatik (CSPT) duke sugjeruar transmetimin ndërbrezorë të traumës në formën e ndryshimeve epigjenetike tek fëmijët.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e te Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, tha se shpesh nënat e fajësojnë vetën që sjelljet e tyre mund t’i bartin tek fëmijët.
“Gjatë këtyre 20 vjetëve jemi angazhuar në rehabilitimin e të mbijetuarave , fuqizimin ekonomik për njohjen ligjore. Për 20 vjet mobilizuam shumë organizata, shumë aktivist e në fund edhe institute shtetërore e ndërkombëtare. Ne vazhdojmë te jemi adresa kryesore për shumë histori të pathëna e vuajtje. Duke dëgjuar rrëfimet duke punuat me këto gra e burra shume nëna përtej kësaj ndjenje, një ndjejnë fajësie që sjelljet e njëjta t’i hasin tek fëmijët. Ky studim bëhet për herë të parë në botë”, theksoi ajo.
E pranishme, në mbështetje të të mbijetuarave të torturës, ishte edhe Lartmadhëria e saj Mbretërore, Kontesha e Ëessexit, Sophie Helen.
“Sot pata mundësi të diskutoj me disa të mbijetuara të torturës qe kanë qenë në studim , përjetimet e tyre janë të tmerrshme, por guximi i tyre është impresionues. S’mund ta marr me mend sa e vështirë ka qenë për ato, për këto trauma që i bartin me vete . Përkund guximit ato kanë nevojë për mbështetje, drejtësi, kanë nevojë për ne. Ne duhet ta pranojmë se dhimbja dhe pasojat e dhunës seksuale nuk zhduken me kalimin e kohës. Nëse nuk adresohen ato vetëm shtohen, konfliktet lënë plagë, por me shume stigma. Kjo barrë shtesë i shtohet sulmeve shkatërrimtare që vështirë kuptohet . Është koha të kuptojmë se ato sulme s’kanë qenë faji i tyre dhe shume fëmijë që kanë lindur nga dhunimi, zëri i tyre duhet të adresohet. Të mos ekzistojnë kjo stigmë, askush s’duhet të jetë i turpëruar”, tha ajo.
“Ky vend i mrekullueshëm duhet te ecë përpara duhet të pranojmë dhe të dallojmë këto krime duhet t’i mbështesim. E di që jeni duke punuar për të rindërtuar jetët e coptuara, por çdo i mbijetuar që është paraqitur nuk përfaqëson të gjithë se ka ende që frikësohen të paraqiten. Është detyrë e jona të thyejmë këto barriera. Ti ofrojmë një mjedis ku nuk gjykohen, përgëzim për te gjithë ata qe kanë ngritur zërin si Vasfija e Shyhretja që paraqiten rastet e tyre. Në nëntor do mbajmë një konferencë në Londër “Koha për drejtësi”, aty do të përkujtojmë forcën e të mbijetuarave”, theksoi kontesha.
Gruaja e parë e cila doli publikisht të dënonte dhunuesit e saj, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka thënë se e ka shumë të vështirë të flas për tramuat me të cilat është përballur si nënë e dy vajzave.
“Është e vështirë të flasë për traumat që jam ballafaquar si nënë e dy vajzave . Shpesh e fajësoj vetën, se a kam bërë mirë duke i rritur, duke ditur se kam kaluar ne këtë . Jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar se trauma ime është bartur përmes shtatzënisë, jo pse skam qenë nënë e mirë. Prania juaj tregon se ju kushtoni vëmendje”, tha ajo, raporton EO.
Rasmus Grue Christensen, drejtor në “Dignity Institute” Instituti Danez kundër Torturës, tha se studimi analizon pyetjen nëse pasojat e dhunës seksuale dhe torturës mund të barten nga një gjeneratë në tjetrën.
“Studimi analizon pyetjen nëse pasojat e dhunës seksuale dhe torturës mund të barten nga një gjeneratë në tjetrën. Ky pilot studim qq e prezantojmë analizon bartjen e mundshme të traumës nga nëna tek fëmijët. Trauma nuk përfundon kur përfundojnë luftimet, ajo mund të jetë e pranishme në gjeneratë, shumë kanë probleme fizike e mendore. Studimet e bëra në 2010 kanë treguar se shumë viktima vuajnë nga dhimbet, zemërimi, nga tejkalimi i tyre këto mund të barteshin në familje. Viktimat e dhunës vazhdojnë të jetojnë me dhimbje , se dinjiteti i tyre ka humbur. Kemi dëshmi se trauma mund të krijojë ndryshime epigjenetike gjatë shtatzënisë”, tha ai.
Prezantimin e rezultateve preliminare të studimit, e bëri Shr-Jie Sharlenna Wang, nga “Instituti Danez kundër Torturës”.
“Çrregullimi emocional nuk shihet vetëm tek individët, por te gjithë familja dhe kjo shton vuajtjet kronike. Kemi parë se shumë gra jetojnë me këtë dhimbje dhe çrregullimet janë të dëmshme edhe për anëtarët e tjerë. Çrregullimet mund të jenë ngjitëse të barten te familjet. Kur unë kam qene shtatzënë gjatë atij studimi kam intervistuar disa viktima dhe çdo natë isha e tmerruar nga rrëfimet e tyre. Nënat janë shume më të ndjeshme ndaj çdo ekspozimi dhe këto mund të jenë të bartshme . Puna juaj ka qenë frymëzuese për hulumtimin tonë, heshtja të shndërrohet në zë shprese”, tha ajo.
Ky hulumtim thekson rëndësinë e ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të lindur nga gratë që përjetojnë dhunë/ torturë seksuale gjatë luftës dhe veçanërisht ata të lindur nga nënat me simptoma të çrregullimit të stresit post- traumatik.