Gati gjysma e vdekjeve të fëmijëve në Afrikë janë si pasojë e urisë

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Një grup ekspertësh me bazë në Addis Ababa ka thënë se një në tre fëmijë në Afrikë jetojnë në gjendje shumë të rëndë dhe uria është shkaku i gati gjysmës së vdekjeve të fëmijëve në mbarë kontinentin.

Sipas një studimi nga Forumi për Politika të Fëmijëve, në të cilin bëhet thirrje për masa urgjente, rreth 60 milionë fëmijë në Afrikë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, pavarësisht rritjes ekonomike të kontinentit në vitet e fundit.

Një fëmijë vdes për çdo tre sekonda në botë për shkak të mungesës së ushqimit apo 10 mijë fëmijë për çdo ditë. Ndonëse shifrat tregojnë një përmirësim sa i përket urisë së fëmijëve në nivel botëror, gjendja është duke u rënduar në disa pjesë të Afrikës, ku problemi është kryesisht i pranishëm për shkak të mungesës së vullnetit politik për ta zgjidhur atë.

Rreth 90 për qind e fëmijëve të Afrikës nuk kanë ushqim që i plotëson kriteret minimale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe rreth 65 për qind e tyre nuk hanë ushqim rregullisht.

Liberia, Kongoja dhe Çadi janë në fund të listës së shteteve sa i përket ushqimit të fëmijëve të moshës 2 deri 6 vjeçare. Pas tyre vijnë Zimbabveja, Guinea Bisau, Gambia dhe Republika Demokratike e Kongos, shkruan “The Guardian”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme