Trajneri italian i Hajdukut të Splitit, Gennaro Gattuso, ka folur të premten në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes ndaj Shibenikut, që është e fundit për këtë vit.
Ndeshja Shibenik – Hajduk zhvillohet të dielën nga ora 17:30 dhe i takon xhiros së 18-të të kampionatit kroat.
Rijeka dhe Hajduku prijnë në tabelë me nga 33 pikë.
Por në këtë ballafaqim nuk do të jetë Leon Dajaku, që së bashku me Yassine Benrahoun, janë përjashtuar nga ekipi.
Gattuso ka thënë se para tre muajsh i ka pranuar që të dy në skuadër, por ka thënë se emblema dhe fanella e Hajdukut meriton respekt.
“Nuk u takon atyre të brengosen se kur do të luajnë. Ata duhet të jenë të gatshëm gjatë gjithë kohës. Ajo që nuk më pëlqen te lojtarët është negativiteti. Këta dy lojtarë kanë sjellë shumë negativitet. Ka edhe lojtarë tjerë që janë negativë. Përderisa unë jam trajner, pavarësisht a jam për një muaj apo tre vjet, do të luajnë edhe 15-vjeçarët. Më mirë ta humb ndeshjen se dinjitetin”, ka thënë Gattuso.
Ka pasur shumë raportime në javët e fundit se te Hajduku, lojtarët nuk po paguhen me rregull.
Por, Gattuso ka thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
“Pagat arrijnë me kohë në klub, rregullisht. Nëse dëshiron të largohesh nga ekipi, merr përgjegjësi, dhe mos e pyet klubin për para. Sa të jem unë trajner këtu, lojtarët duhet të derdhin gjak për këtë fanellë”, ka thënë tekniku italian.
Dajaku është 23-vjeçar dhe në Gjermani ishte vlerësuar shpresë e madhe.
Ai luan si sulmues i dytë, ndërsa karrierë ka bërë te Stuttgarti, Union Berlini, St.Galleni e Sunderlandi.
Në edicionin aktual e ka vetëm një asistim me Hajdukun e Splitit. Skuadrës kroate iu bashkua në korrik të vitit të kaluar.
“Më mirë të isha goditur sesa të përjetoja diçka të tillë. Lojtarët duhet të jenë të gatshëm vazhdimisht. Nuk mund të mos stërvitesh e të presësh të luash në çdo ndeshje. Nuk është gjë e mirë t’i shohësh 24 lojtarë në dhomën e zhveshjes që kalojnë mirë me njëri-tjetrin, dhe katër apo pesë lojtarë tjerë që vazhdimisht mbajnë kokën poshtë. Nuk e kuptoj dikë që nuk është i kënaqur për sukseset e shokëve të skuadrës. Në këto raste unë bëhem ‘bishë’. Kjo është mënyra ime e punës. Dhe në futboll jam tash e 30 vjet. Nuk jam piktor apo kopshtar. Lojtarët mund të mendojnë se nuk kuptoj se çfarë po ndodh, por unë jam shumë para tyre”, theksoi Gattuso.