Gazeta gjermane mahnitet me Rashicën: Ngritja e yllit nga Kosova

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme të Milot Rashicës për Werder Bremenin, gazeta e madhe gjermane, Der Spiegel, e ka publikuar një artikull ku lavdërohet ylli kosovar.

Kushdo që flet për sulmin e Werderit zakonisht flet për Max Krusen. Milot Rashica është edhe më i rrezikshëm. Edhe shanset e Bremenit për ta mposhtur Bayernin në gjysmëfinale të Kupës u varen nga 22-vjeçari, shkruan Der Spiegel.

Mes mbrojtësve të Bayernit depërtonte për ta bërë punën e vet Milot Rashica. Ai është i gjatë 178 centimetra, por kjo nuk është në dëm të tij.

Në ndeshjen paraprake mes Bayernit dhe Bremenit, Rashica qëndroi i vetëm mes tre mbrojtësve kundërshtar. Kur e mori pasimin, ai e la topin të sillej drejt mesfushës qysh me prekjen e parë. Pastaj, u kthye menjëherë dhe vrapoi me shpejtësi drejt portës. Lëvizjet e tij të tilla janë shumë të shpejta.

Kështu që plani i Bremenit për ndeshjen e mbrëmshme kundër Bayernit ishte ta përdorte shpejtësinë e Rashicës që t’i lëndonte kundërshtarët. Mirëpo, Bayerni e fitoi ndeshjen me rezultat 3:2, ndërsa Rashica e shënoi një gol dhe e asistoi tjetrin.

Kushdo që flet për sulmin e Werderit, flet për Max Krusen, Maximilian Eggesteinin apo Claudo Pizarron. Rashica, i vetëm, ka shënuar më shumë gola këtë sezon sesa këta të tre së bashku. Zhvillimi i tij ka qenë kaq mbresëlënës sepse nuk ishte i pritur. Para gjashtë muajve, 22-vjeçari ishte jashtë skuadrës.

I lindur në Vushtrri të Kosovës, ai luajti për klubin e vendlindjes së tij për disa vite para se të transferohej në Vitesse në vitin 2015. Kur ai erdhi në Bremen në fillim të vitit 2018, ai ishte ende shumë i papunuar.

Ai dinte ta dëshmonte veten në përballjet një-kundër-një me lojtarë, mirëpo në fushë i merrte vendimet e gabuara dhe në fazën e mbrojtjes ishte po aq larg nivelit të Bundesligës sa është HSV-ja larg nivelit të Ligës së Kampionëve.

Kështu që Rashica zakonisht nuk ishte pjesë e skuadrës. “Ai u detyrua të mësojë në mënyrën e dhimbshme. Miloti thjesht nuk dinte të mbronte”, ka thënë trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt.

Megjithatë, për Werderin, lojtarët si Rashica janë baza, ata janë pjesë e modelit të biznesit të klubit. Klubi duhet të zbulojë dhe të zhvillojë talente, t’i kthejë ata në yje dhe pastaj t’i shesë për çmime të larta. Me Rashicën, klubi e ka gjetur pikërisht një lojtar të tillë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme