Në kuadër të projektit “Dhuna e Fshehur: Tregime nga Redaksia”, i cili është pjesë e programit “Mbrojtja e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”, u prezantuan të gjeturat e një hulumtimi nga përvojat e rreth 100 gazetarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, rreth problemeve që kanë me lirinë për ta kryer punën si duan në redaksitë ku punojnë.
Së pari është shfaqur një video nga shumë gazetarë të Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit të cilët kanë shprehur mendimet e tyre se çka është të jesh gazetar, raporton Ekonomia Online.
Gazetarja Una Hajdari tha se gazetarëve u ndodh që të luftojnë shumë për t’i publikuar temat e tyre.
“Gazetarët shpesh për me ardhë deri te momenti me publiku një tekst ose publikim duhet me luftu për me publiku atë temë ose me plasu atë temë”.
Hajdari po ashtu tha se gazetarët në Kosovë nuk i kanë të definuara të drejtat e tyre, pasi që përveç gazetarëve të televizionit publik, të tjerët rrallë që kanë kontrata të punës.
“Ajo që gjetjet e mia në Kosovë kanë qenë se shumë rrallë gazetarët në Kosovë punojnë me kontrata, përveç në televizione publike dhe radio që punojnë me kontrata që i kanë të definune të drejtat e tyre”.
“Përfundimet kryesore të cilat i kemi gjetë është që gazetarët, të cilët luftojnë për ndryshime në çështjen e tyre, për llogaridhënie, shumë shpesh nuk janë të informuar për të drejtat që u takojnë atyre”.
Hajdari po ashtu tha se shumë gazetarë që kanë marrë pjesë në hulumtim, për shkak të frikës, kanë vendosur të mbesin anonimë.
“Shumica e gazetarëve kanë vendosur me qenë anonim dhe mos me folë per presione që ballafaqohen dhe kjo do të thote se gazetarët frikesohen se nesër ose pasnesër kur kërkon një punë të re frikësohet për me kërku punën nga redaktori”.
Zarka Radoja, gazetare nga Serbia, tregoi se vetë fakti që shumica e gazetarëve të përfshirë në hulumtim janë anonimë, është shqetësuese për ta.
“Kur flasim për Serbinë, edhe pse situata në Serbi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi është shumë e ngjashme, kolegët tanë janë të censuruar dhe të diskriminuar dhe punojnë nën presion”.
Biljana Sekulovska, gazetare nga Maqedonia, tha se gazetarët janë të nënvlerësuar, të lodhur e të mërzitur, raporton EO.
“Ne jemi të nënvlerësuar, ne jemi të dëshpëruar, të lodhur e të mërzitur. Në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, e në Kosovë. Ne jemi të dëshpëruar e të poshtëruar”.
“Gazetarët janë të frikësuar nga redaktorët e tyre, edhe pse kanë paga të ulëta frikësohen se nëse pushohen nga puna, nuk mund të gjejnë punë tjetër”.