Një projekt që synon t’i bëjë bashkë gazetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë për t’i diskutuar problemet dhe për ta rritur bashkëpunimin ndërmjet tyre ka nisur të realizohet në Prishtinë.
Për të dytin vit rresht, implementues i këtij projekti të mbështetur nga Zyra e bashkimit Europian në Kosovë është Zyra në Kosovë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
Iniciativa është vazhdimësi e një projekti të tillë të implementuar vitin e kaluar me të cilin, brenda disa aktiviteteve, gazetarët shqiptarë, serbë e boshnjakë janë angazhuar për të shkruar artikuj të përbashkët rreth temave sociale të cilat i preokupojnë banorët e Kosovës.
Gazetarë e përfaqësues të mediave në Kosovë, u mblodhën sot në Graçanicë për të vazhduar projektin e bashkëpunimit mes tyre.
“Sa i takon projektit, jemi të gëzuar pasi që kemi pasur sukses me pjesën e parë të diskutimit me gazetarët e komuniteteve të ndryshme. Projekti së bashku me BIRN do të vazhdojë për ta përforcuar më shumë bashkëpunimin mes gazetarëve”, tha Fatmire Tërdevci nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Në diskutime, folësit thanë se disa nga problemet që hasin gazetarët e komuniteteve të ndryshme duhet ta njohin më shumv njëri- tjetrin ndërsa pengesa më e madhe për këtë u vlerësua mosnjohja e gjuhës së tjetrit.
Gazetari nga Qendra Mediale në Çagllavicë, Budimir Niçiq, pengesë e bashkëpunimit mes gazetarëve të komuniteteve të ndryshme është mosnjohja mes vete.
“Unë tani po njoh vetëm tre prej nesh që jemi këtu. Nuk kemi njohuri mes gazetarëve shqiptarë e serbë. Pra ajo çka duhet të bëhet fillimisht është të njihemi mes vete. Pastaj është edhe gjuha problem”, tha Niçiq.
Ai shtoi se gazetarët serbë për të raportuar në lidhje me shqiptarët duhet t’i dinë gjërat bazike me të cilën ballafaqohen dhe e kundërta të ndodhë edhe me gazetarët shqiptarë.
Sipas Niçiq, gazetarët e të gjitha komuniteteve duhet të bashkëpunojnë mes vete edhe sa i përket ngjarjeve, rrethanave të ndryshme.
Ai tha se për sulme ndaj gazetarëve duhet të ngritët zëri nga të gjithë gazetarët e të gjitha komuniteteve.
Petrit Çollaku, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se që nga pjesa e parë e diskutimit tani po vërehet një lloj dallimi, gazetarët e kanë kuptuar se bashkëpunimi është i duhuri për të raportuar.
“E mira e rrugës është që pak a shumë kemi fillu me pa me kuptu. Ka pasë edhe tentativa të përbashkëta që të synohet për një punë më të mirë për gazetarët në rajon. Këtu natyrisht që kur flitet për bashkëpunim mjafton të bëhemi bashkë edhe ta dëgjojmë njëri- tjetrin për t’u marrë vesh. Anglishtja e dimë është gjuha me të cilën bashkëpunojnë gazetarët”, tha Çollaku.
Ai shtoi se ka ngecje sa i përket bashkëpunimit ndërsa propozoi që gazetarët serbë, sidomos ata në veri të Kosovës, ta vizitojnë më shumë Prishtinën në mënyrë që të njihen me problematikat si ato sociale edhe ato politike.
“Ndarja administrative e politike, problemi në Mitrovicë ende ekziston. Gazetarët mund të bashkëpunojnë kjo është mënyra më e mirë për të ngritur të gjitha çështjet që i brengosin. Bashkë në të gjitha rastet mund të ndikojmë pozitivisht”, tha ai.
Ai përmendi edhe raste ku AGK ka ndërmarrë masa të menjëhershme kur është gazetarët, qoftë ata shqiptarë ose serbë, kanë hasur në telashe me qasje në institucionet e vendit.
Gazetarja nga Mitrovica e Veriut, Sanja Sovrliq, tha se çështja e gjuhës është pengesë.
Ajo shtoi se ka raste, se në qoftë se i duhen disa dokumente urgjente kërkon nga gazetarët serbë bashkëpunim.
“Serbët dhe shqiptarët për 19 vjet jetojnë në komunitete të ndara. Ne në përgjithësi i frikësohemi njëri- tjetrin por mendoj se nuk duhet të frikësohemi. Unë nuk e kam problem të vij edhe në Prishtinë jo me qëllim të provokimit. Gazetaria është stil jete dhe mendoj se çdo mesazh që dërgon gazetari është shumë e rëndësishme mesazhi që jep”, tha Sovrliq.
Qëndresa Fazliu gazetare në Portalin “Blic”, tha se diskutimet që janë mbajtur gjatë pjesës së parë të këtij projekti i kanë ndihmuar asaj të shoqërohet me gazetarë të komuniteteve të ndryshme.