Me rastin e Ditës ndërkombëtare për ndalimin e mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve, është organizuar një konferencë me temën “Siguria e gazetarëve në Kosovë”, ku është diskutuar për problemet me të cilat po ballafaqohen gazetarët kosovarë.
Në këtë konferencë, gazetarët iu bënë thirrje institucioneve përkatëse që të shtojnë përgjegjësitë e tyre karshi komunitetit të gazetarëve dhe të zbatojnë ligjet, duke kërkuar respektimin e lirisë së shprehjes, e cila sipas komunitetit të gazetarëve është e garantuar me çdo konventë ndërkombëtare.
Shkelqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, u shpreh se kërcënimet e gazetarëve në detyrë po bëhen në forma të ndryshme.
“Ambienti në të cilën përballemi ne gazetarët çdo ditë nuk është aspak i favorshëm, për ta ushtruar profesionin e gazetarit. Ne përballemi me probleme që janë të funksionimit të medieve, mirëpo përballen edhe me problemet financiare”, u shpreh Hysenaj.
Vehbi Kajtazi, nga portali “Insajderi”, përmendi disa nga kërcënimet që i janë adresuar atij. Ai rikujtoi një rast sa punonte në gazetën “Koha Ditore”, kur kishte shkruar për rastin e privatizimit të 91 hektarëve në Muzakaj.
“Do të takohesha me Hamdin Thaçin dhe Bashkim Demaj,n njëri është kushëri i presidentit (aktual) Hashim Thaçi dhe tjetri truprojë i tij. Takimi do të mbahej në një kafiteri në Prishtinë, ndërsa me e caktuam takimin në shesh. Ka ardh një patrullë e policisë, ndërsa Flaka Surroi i ka nxjerrë dy kameramanë që ta filmojnë. Ka qenë takimi shumë i rrezikshëm për mua, sepse gjuha e tij ka qenë shumë e butë porse kërcënuese”, rrëfeu Kajtazi.
Bahri Cani, gazetar në Deutche Welle, tha se të jesh gazetar në kohën e sotme nuk është edhe aq lehtë, porse gazetarët e viteve të mëhershme kanë raportuar nga vendi i demonstratave dhe nga vatrat e luftës në Kosovë.
“Unë kam qenë në shtëpinë e Shaban Jasharit kur është luftuar dhe brenda dy orëve kam qëndruar dhe e kam parë se çdo të thotë të jesh gazetar.” Cani u shpreh se është për keqardhje që edhe pas shumë vitesh ka sulme ndaj gazetarëve, siç është rasti ndaj drejtorit të RTK-së, Mentor Shala, dhe kërcënimet ndaj kryeredaktorit të Gazetës Express, Leonard Kërquku.
Në audiencë ishin studentët e gazetarisë së UP-së, të cilët parashtruan pyetje të ndryshme për panelistët.