Takimin e sotëm të presidentit Hashim Thaçi me përfaqësuesit e partive politike ku është diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, e ka bojkotuar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Këshilltari i kryeministrit në largim, Bajram Gecaj, ka thënë për Telegrafin se arsyeja e bojkotimit të këtij takimi ka qenë sepse PDK-ja ka shkelë marrëveshjen e koalicionit dhe se LDK nuk e njeh Thaçin president.
“Arsyeja është ajo që e kemi thënë edhe dje përmes një komunikate, LDK nuk e njeh Thaçin president të vendit”, ka thënë Gecaj.
Ai ka shtuar se PDK-ja ka shkelur çdo pikë të marrëveshjes tashmë të ish-koalicionit PDK-LDK.
Pas votimit të mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, gjatë ditës së djeshme LDK përmes një komunikatë dërguar mediave ka thënë se marrëveshja e koalicionit mes saj dhe Partisë Demokratike të Kosovës “bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”.
“Kësisoj, nga sot, LDK nuk e njeh Hashim Thaçin President, zgjedhja e të cilit si i pari i vendit ishte rezultat i një marrëveshjeje mes PDK-së e LDK-së”, është thënë në komunikatë.
Ndërsa sot shumica e partive politike kanë propozuar 11 qershorin si datë të duhur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.