Gecaj: Ligji për Prishtinën së shpejti në Kuvend, Ahmeti fajtor për vonesa

Prishtinë | 07 Pri 2017 | 08:20 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prishtina vazhdon të funksionojë pa ligjin e veçantë që parashihet në nenin 13 të Kushtetutës së Kosovës, e i cili rregullon statusin dhe organizimin e brendshëm të kryeqytetit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë kohës sa ishte kryetar i Prishtinës kishte këmbëngulur në këtë ligj, deri në përplasje me Qeverinë e asaj kohe.

E tani që vetë është në krye të Qeverisë, ligji ende nuk është bërë.

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se ky projektligj për kryeqytetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës para pushimeve verore, duke lënë të nënkuptohet se kryeqyteti do të bëhet me ligj para zgjedhjeve lokale.

“Shpresoj që ky ligj të dërgohet në Parlament para pushimeve verore në mënyrë që të aprovohet para kësaj kohe, për shkak se ju e dini që do të kemi zgjedhje lokale në vjeshtë. Është mirë që partitë politike të përgatiten që në zgjedhjet e ardhshme të hyjmë me një ligj të ri, pra të gjithë të dimë që edhe fushatën zgjedhore ta koordinojmë në lidhje me atë ligj”, ka thënë Gecaj.

Pavarësisht që përgjegjësia kryesore për mosmiratimin e këtij ligji bie mbi Qeverinë, Gecaj ka thënë se një pjesë të fajit për vonesa e ka edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Ai ka thënë se qysh para tre muajsh kanë kërkuar takim me të parin e Prishtinës për t’u dakorduar për këtë ligj, por që ky i fundit ka hezituar ta takojë.

“Për tre muaj i kemi dërguar kërkesë që të takohemi me Ahmetin. Ai ose i ka refuzua ose nuk është përgjigjur fare, pastaj ne jemi shkua jemi takuar me kryesuesin e Komunës së Prishtinës dhe kemi biseduar lidhur me këtë ligj. I kemi dëgjua qëndrimet e tyre lidhur me këtë ligj dhe ne e kemi shpreh edhe vullnetin që nëse ka nevojë të organizohet një takim në Kuvendin e Komunës së Prishtinës në mënyrë që kuvendarët të kenë mundësi që të shtrojnë pyetje apo ide se si do të dukej ky ligj”, ka theksuar zëvendësministri Gecaj.

Ligji për Prishtinën parashihet të ketë deri 4% të Buxhetit të përgjithshëm.

Ky ligj është i domosdoshëm duke marrë parasysh se Prishtina është kryeqendër e administratës shtetërore dhe ka nevoja të veçanta për financim në mënyrë që të lehtësohet menaxhimi si kryeqytet.

 

 

Të ngjashme