A ka një njeri normal në VV që ka guxim dhe mençuri t’i tregojë Albinit disa gjëra shumë bazike, por tepër të rëndësishme, që po e dëmtojnë jo vetëm atë, por gjithë Kosovën?
Nuk është kritikë opozitare, por këshillë njerëzore dhe shqiptare:
- Në Kosovë, gënjeshtra, shpifjet dhe propaganda mund edhe të shpaguhen, të paktën përkohësisht, por asnjëra prej tyre kurrë nuk mund të shpaguhet te vendet me demokraci dhe diplomaci të konsoliduar.
- Kur shpif një deputet i VV se Zvicra ia ka refuzuar Lajçakut akreditimin dhe e detyron gjithë atë aparat të shtetit zviceran të reagojë e të të thotë se jeni duke gënjyer, është skandal i madh diplomatik.
- Kur kanë shpifur në media ndërkombëtare me atë të ashtuquajturin gazetar Vudi apo Hamam, si e ka mbiemrin, se vetëm gazetar nuk është, se gjoja SHBA-ja e ka shkarkuar Escobarin për shkak se ka marrë para prej Republika Srpskës, as vetë nuk e din Albini dhe VV sa dëm i kanë bërë Kosovës.
- Kur çdo diplomat që thotë diçka që nuk na pëlqen (Chollet, Escobar, Hoevenier, Sarrazin e plot të tjerë), ata të VV-së ua lëshojnë në qafë flliqanat e VV-së që i fyejnë e i shajnë në Twitter (sikur të ishin ata komandantë të UÇK-së), e nuk e kanë parasysh se ato sharje nuk i sheh vetëm ai diplomat, por gjithë kolegët e tij diplomatë të atij vendi, diplomatët e shteteve të tjera dhe miqtë e familjarët e diplomatit. Të gjithë gërditen nga këta dhe të gjithë krijojnë averzion ndaj Kurtit, por fatkeqësisht edhe ndaj vendit që ai përfaqëson.
- Kosova ka zgjedhur Qeveri për ta mbrojtur nga çdo padrejtësi me përfaqësim dinjitoz dhe diplomaci. Shumë prej nesh po e shohim që po na bëhet padrejtësi, sepse ai, Albini, me atë gruan (Donikën) që lidhje as me njerëzillëk as me politikë (as të jashtme, as të brendshme) nuk ka, çdo ditë e më shumë po e sakatojnë këtë vend.
- Nëse Ministrja e Kurtit, për shkak se është e martuar me një gjerman, ka jetuar në Gjermani dhe mendon se në emër të Kosovës mund të sillet si aktiviste gjermane e një OJQ-je dhe të fyejë Gjermaninë për shkak të litiumit, e ka ajo, e Albini edhe më shumë, gabim. Gabim, Albin. Tepër gabim.
Është një fjalë popullore që thotë: “Në rrugën e gabimeve, kurdo që ndalesh je në fitim”. Albin aga, jo që është në rrugë të gabuar, por është në qorrsokak me gropa. Nëse nuk ndalet, ai do të shkon për lesh, po se po, por më shumë vendi i tij. E populli i Albinit le të këndojë pastaj këngë me sharkia se si Evropa na ka bërë padrejtësi. Evropa edhe mund të na bëjë padrejtësi, por jo pse s’na do, por sepse Albini me shokë e ka dërguar vendin në rrugë të gabuar.