Në kuadër të punimeve të takimit joformal të Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit të Spanjës, Josep Borrell.
Borrell vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin maksimal të Shqipërisë për plotësimin e kushteve të nevojshme që i hapin rrugë çeljes së negociatave me BE-në. Ai konfirmoi qëndrimin e palëkundur të Spanjës për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e qartë të tij për t’u bërë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ministri Borrell siguroi mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.
Në një postim në Facebook, Cakaj ka shkruar se takimi me Borrell, spikati në tre elemente kryesore.
“Së pari, domosdoshmërinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Spanjës, veçanërisht duke rritur nivelin e komunikimit të lartë politik dhe duke shtuar bashkëpunimin ekonomik; Së dyti, rëndësinë e patjetërsueshme të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë në muajin tetor dhe, për më shumë fuqizimin e politikave të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi; Së treti, vlerësimin pozitiv ndërkombëtar për përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në vitin 2020 dhe nevojën për një koordinim të ngushtë me pjesëmarrësit e kësaj organizate;”
“Shqipëria do të vazhdojë t’i realizojë objektivat madhorë të politikës së jashtme dhe të fuqizojë më tej besueshmërinë ndërkombëtare të saj”, ka shkruar ai.