Partia Guxo ka mbajtur tubim me struktura dhe mbështetës të saj, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e kësaj partie dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova që nga kjo qeverisje po përmendet si shteti më demokratik në rajon, numër një në Evropë për zhvillim ekonomik, ndërsa i dyti në botë për sundimin e rendit dhe të ligjit.
Mirëpo, sipas saj, kohëve të fundit ka pasur një fushatë kundër Qeverisë nga opozita e disa media, për bisedat e shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lilës me kriminelin Milan Radoiçiq.
“Kosova sot përmendet si shteti më demokratik në rajon dhe shteti numër një në Evropë për zhvillim ekonomik, si shteti i dytë në botë për sundimin e rendit dhe ligjit”.
“Të vendosur si në vitin 2021, do ta begatojmë jetën e Kosovës, duke mbajtur premtimin për një Kosovë më të mirë, ku qytetarët nuk largohen por kthehen dhe ku arsimi, shëndetësia e ekonomia bëhen shembuj për vendet e tjera”.
“Më lejoni të përmendi vetëm fushatën e fundit të opozitës dhe disa mediave. Çfarë ka për synim kjo fushatë për këtë luftë hibride?”, ka pyetur ajo.
Sipas saj, kjo fushatë ka qëllim ta paraqesë Kusari-Lilën si bashkëpunëtore të Radoiçiqit.
“Këtë se beson as fëmija në djep”, ka thënë Gërvalla.
Tutje, ajo ka kërkuar edhe më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme, sepse “55% nuk janë mjaftueshëm për energjinë negative të opozitës”.
“Me 55% s’kemi mjaftueshëm vota për ta luftuar energjinë negative të opozitës. Andaj, na duhen më shumë vota”, ka thënë ajo, raporton EO.