Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se është ‘injorancë diplomatike’ dhe ‘arrogancë’ deklarata e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo mu në mes të Greqisë ka thënë se “ne nuk po e lusim Greqinë për njohje pasi që jemi njohur tashmë nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.
Mos-lutja e Greqisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur po shihet si injorancë diplomatike nga ish-kryediplomati dhe deputeti aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj.
“Për shtetet të reja mediat janë platforma më e mirë dhe me ndikim për të bindur opinion publik greke se pse është në të mirë të të dy shteteve që Greqia ta njeh Kosovën! Kur thua që nuk po e lusim askënd që të njeh Kosovën nuk ka të bëjë me sjellje sovrane, por me injorancë diplomatike dhe arroganca ballkanike”, ka thënë ai për Periskopin.
Hoxhaj ka thënë se gabimet të tilla e dëmtojnë rëndë Kosovën dhe ministrja Gërvalla duhet t’i shfrytëzojë si duhet paraqitjet në mediat e huaja.
“Gabime të tilla në komunikimi me opinion publik greke padyshim që e dëmtojnë shumë Kosovën dhe kjo ka të bëjë me këto arsye! Dy janë kritere bazike kur ne vend merr vendim për ta njohur Kosovën. Se pari është interesi shtetërore dhe interesin shtetëror e përcakton qeveria e një shteti se pse ai vend do duhet ta njihet Kosovën! Se dyti është opinioni publik i këtij vendi sesi ai e përcepton Kosovën dhe çdo simpati dhe respekt që krijon ministrja e jashtme në media është në të mirë të Kosovës!”, u shpreh ai.
Me tej, sipas deputetit të PDK-së, vizita e Gërvallës në Greqi mund të konsiderohet e parëndësishme pas deklaratës së saj.
“Në Greqi ka forca si Kisha, parti ekstremiste të djathta dhe lëvizje të majta janë kundër Kosovës! Dhe në fund, nëse shkon që ta bindesh në Athinë që ta lëvizë këtë vend drejt njohjes dhe në media e thua që nuk po e lusim askënd, atëherë kjo tregon që e vizita ka qenë e kot dhe dështim! Por Greqia ka një diplomaci të mirëfilltë, e njohim përkushtimin tonë për marrëdhënie diplomatike dhe duhet thjesht ta njohin Kosovën! Kur Izreali e njohu Kosovën, tregon që pesë vendet anëtare jonjohese të BE, duhet ta marrim vendim e njejtë dhe nuk ka asnjë arsye për mos të ndodhë kjo!”, theksoi Hoxhaj.
Ndërkohë, dje gjatë ditës edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, e panë si gabim deklaratën e ministres së Jashtme.
Ndryshe, Greqia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Kujtojmë që Gërvalla ka rënë në sy me gabimet tragjike në llogarinë e saj në “Twitter”, kryediplomatja ka gabuar pothuajse në secilin publikim.
Vazhdimisht ajo ka ngatërruar flamujt e vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe, ndër të tjera, edhe flamurin e NATO-s me atë të OKB-së etj.