Gërxhaliu: Kontributi dhe suksesi i Devolli Corporation dhe Devolli Group në diplomacinë ekonomike – një model që sfidon qasjet e Qeverisë së Kosovës

Prishtinë | 16 Jan 2025 | 07:58 | Nga Safet Gërxhaliu

Në një kohë kur sfidat ekonomike dhe politike mbizotërojnë në Kosovë, roli i sektorit privat, veçanërisht i korporatave si Devolli Corporation dhe Devolli Group, ka dalë në pah si një shtyllë kyçe në zhvillimin e diplomacisë ekonomike të vendit. Këto kompani nuk janë vetëm liderë në industrinë e tyre, por edhe ambasadorë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar shtetin përmes inovacionit, cilësisë dhe vizionit të tyre.

Në një realitet ku sektori privat lufton për të mbështetur shtetin, ndërsa qeveria shpesh përqendrohet në interesa të ngushta të pushtetit, humbësi kryesor është vetë qeveria. Korporatat Devolli, si punëdhënësi më i madh në Kosovë dhe eksportuesi kryesor, janë shembulli ideal se si bizneset mund të kontribuojnë për shtetin dhe qytetarët e tij. Produktet e tyre, me etiketën “Made in Republika e Kosovës”, kanë depërtuar jo vetëm në tregun evropian, por edhe në atë amerikan dhe në kontinente të tjera. Ky është një sukses që shumë institucione qeveritare nuk kanë arritur ta realizojnë.

Me punën e tyre të palodhshme dhe përkushtimin ndaj cilësisë, korporatat Devolli kanë tërhequr vëmendjen e shumë diplomatëve dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, IFC-në, BERZH-in, si dhe figura të larta shtetërore si presidenti amerikan Donald Trump dhe lider të niveleve politike e diplomatike në nivel botëror. Ky ndikim ka treguar se fuqia e një brendi privat mund të tejkalojë fuqinë diplomatike të një ministrie të jashtme.

Çdo përpjekje për të goditur korporata si Devolli nuk është vetëm një sulm ndaj tyre, por edhe një goditje ndaj themeleve të shtetit. Këto kompani janë shtylla të stabilitetit ekonomik dhe social të Kosovës, duke gjeneruar punësim, rritje ekonomike dhe duke ndërtuar një imazh pozitiv të vendit në botë. Në vend që të promovohen si shembuj suksesi, disa institucione përpiqen t’i pengojnë, duke vënë në rrezik eksportet, inovacionin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

Në vend që të luftojnë sektorin privat, institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me të. Promovimi i shembujve të suksesshëm si Devolli jo vetëm që mund të inkurajojë investitorët e huaj të vijnë në Kosovë, por gjithashtu ndihmon në krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi për të gjithë. Është koha që qeveria të pranojë se një sektor privat i fuqishëm është themeli i një shteti të fortë.

Korporatat Devolli kanë arritur diçka që shumë institucione qeveritare nuk kanë mundur: të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare me dinjitet dhe sukses. Në një kohë kur Kosova ka nevojë për diplomaci të fuqishme ekonomike, këto kompani kanë dëshmuar se janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë. Përkundrazi, goditja e tyre nuk është vetëm një padrejtësi ndaj biznesit, por edhe një sabotim i interesave të përgjithshme të Kosovës.

Të ngjashme