Gërxhaliu: Kosova e Mali i Zi kanë dy armiq të përbashkët…

Prishtinë | 24 Nën 2016 | 13:03 | Nga Arsim Rashiti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Forumin Afarist Kosovë-Mali i Zi, që po mbahet në Prishtinë, u tha se dy vendet kanë dy armiq të përbashkët: varfërinë dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

Në hapje të forumit që organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Malit të Zi, Safet Gërxhaliu tha se mekanizmi i vetëm që eliminon këto barriera është bashkëpunimi mes dy vendeve, sidomos ndërmjet bizneseve.

Gërxhaliu theksoi se bizneset janë ato që i forcojnë urat e bashkëpunimit ndërshtetëror, duke thënë se e veçanta e këtij takimi është, sepse po ndodh në një moment kur agjenda politike në Malin e Zi dhe në Kosovë janë të stërngakuara.

“Si vende të rajonit i kemi dy armiq të përbashkët: E para është varfëria dhe shkalla e lartë e papunësisë dhe e dyta është niveli i ulët i zhvillimit ekonomik. Na mbetet që të dialogojmë, ta avancojmë këtë bashkëpunim”, ka thënë ai.

“Si dy shtete mike nuk kemi probleme politike, prandaj është obligim që ekonominë ta kemi si prioritet, mirëpo besoj që nga ky takim do të ketë mesazhe lobuese në adresë të dy qeverive”, tha Gërxhaliu.

Më tutje, ai u shpreh se “tregtia është si uji” – nuk ndalet kurrë dhe se në këtë drejtim komuniteti i biznesit në Mal të Zi dhe në Kosovë është duke vazhduar bashkëpunimin.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Ivan Saveljiq, tha se kanë interes që të rrisin bashkëpunim ekonomik, gjë që tregon nivelin e lartë të bizneseve në të dy vendet.

Ai ka theksuar se i kanë identifikuar edhe disa barriera afariste që po pengojnë zhvillimin ekonomik dhe të cilat do të mundohen t’i eliminojnë.

“Marrëdhëniet ekonomike në këtë rajon kanë qenë gjithmonë zëri i arsyes dhe janë mirëmbajtur edhe gjatë kohërave të vështira edhe kur politika nuk ka mundur ta bëjë”, ka thënë ai.

“Është e rëndësishme edhe përkrahja e nivelit shtetëror që të fuqizojmë bizneset individuale dhe të përbashkëta. Pengesa e barriera politike nuk kemi, kështu që vetëm duhet të bashkëpunojmë më tutje dhe t’i arrijmë rezultatet sa më të mira”, ka thënë Saveljiq.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, ai ka thënë se Mali i Zi në shkëmbime tregtare gjithnjë ka një suficit, sepse shumicën e mallrave e importojnë.

Mirëpo, në nëntë muajt e këtij viti Mali i Zi ka arritur të eksportojë në Kosovë 5.6 për qind, apo 13 milionë euro.
“Kjo tregon që nuk duhet të flasim prej këndvështrimit të njërit shtet, por prej perspektivës së përbashkët. Marrëdhëniet e përbashkëta ekonomike me nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA ka marrë kahen e duhur, e cila ka rezultuar me shkëmbime mallrash prej 30 për qind”, ka thënë ai.

Ndërsa Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi, theksoi se Ambasada e Kosovës në Mal të Zi do të jetë e përkushtuar të kryejë punë edhe në nivel të Ministrisë së Jashtme.

Ai foli për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, për punësimin sezonal, turizmin e sektorë tjerë.

Të ngjashme