“Unë e mbaj mend kur ka filluar Dokufesti dhe mezi presim të fillojmë përgatitjet për të gjallëruar qytetin”.
Nora Ramadani, qytetare e Prizrenit, ka përmendur përveç tjerash edhe kohën kur ka qenë vetë vullnetare e këtij festivali ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe dokumentar, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 17-të.
Nga 3 deri më 11 gusht në ambientet e qytetit të Prizrenit do të shfaqen 260 filma në gjashtë kategori garuese dhe ato speciale, duke mos lënë anash edhe programet e fotografisë, masterklasave, muzikës dhe filmave për fëmijë.
Sipas Ramadanit, përveç aspektit artistik, rëndësia e Dokufestit qëndron edhe në përmbushjen që ofron ky organizim te banorët e këtij qyteti në lloj-lloj mënyra.
Fatmir Maloku, menaxher i një lokali në Prizren tregon se gjatë ditëve të festivalit, i dyfishohen fitimet.
“Te ne shtohen njerëzit 100 për qind. Jemi të kënaqur pasi edhe klientët ndahen të kënaqur. Ne gëzohemi shumë kur vjen koha e Dokufestit, sepse secilit biznes në Prizren i dyfishohet fitimi”, thotë Maloku për Radion Evropa e Lirë, duke treguar se vizitorët që vijnë për herë të parë në Kosovë i pëlqejnë ushqimet tradicionale teksa ndjekin programin e festivalit.
E ky i fundit nuk prezantohet asnjëherë njëjtë.
Drejtoresha e Dokufestit, Nita Deda është shprehur shumë e kënaqur me programin e këtij edicioni, duke theksuar temën që do të jetë në fokus këtë vit.
“Dokufesti vjen çdo vit i veçantë sepse çdo vit vjen programi i ri. Është shumë kënaqësi me punu në një format të tillë, që bjen botën në një vend të izoluar siç është Kosova, përmes storieve të ndryshme, përmes kulturës, filmit apo programeve për fëmijë. Kemi program që është kuruar enkas për temën e festivalit që është reflektimi ose slogani kryesor që është ‘I’ll be your mirror’, e që përfshin filma legjendarë si ‘Persona’ eIngmar Bergman apo ‘Mirror’ e Andrei Tarkovsky. Tema këtë vit është ftesë, që njerëzit të vijnë në Prizren dhe ne shpresojmë se kemi krijuar një hapësirë ku të gjithë pjesëmarrësit mund të reflektojnë dhe të rriten shpirtërisht”.
Sipas saj, reflektimi nuk është frymëzuar vetëm nga situata në Kosovë, por edhe nga ajo në botë.
“Nuk jemi fokusuar vetëm në ngjarjet aktuale në Kosovë, por edhe tek ato në botë. Ne jemi festival ndërkombëtar, mirëpo e kemi parasysh se ndodhemi në Kosovë dhe temat që shtjellojmë kanë të bëjnë edhe me vendin tonë”, është shprehur Deda.
Ajo ka treguar se edhe këtë vit audienca ndërkombëtare përbën një pjesë të rëndësishme të organizimit duke përmendur pjesëmarrjen e Ali Asgari dhe Farnoosh Samadi që vijnë për herë të parë nga Irani në Kosovë për të diskutuar rreth shoqërive të të dyja vendeve.
‘Nuk e kam imagjinuar kështu Kosovën”
Ndërkohë një retrospektivë prej 23 filmave nga Tajvani e ka shtyrë Melinda Huttl-in nga Hungaria që të niset drejt Kosovës.
Ndonëse kjo është hera e parë që ajo viziton këtë vend dhe se di pak për të, Huttl ka treguar për Radion Evropa e Lirë se si dy muaj më parë ka vendosur të vizitojë festivalin, teksa ka qenë pjesë e një debati rreth organizimeve filmike në Edinburg.
“Qyteti po më duket shumë i gjallë. Nuk e kam menduar se do të shoh kaq shumë njerëz. Slogani i festivalit po më duket shumë ambicioz dhe unë si pjesëtare e audiencës shpresoj se do ta kem mundësinë të jem aktive dhe jo vetëm të shikoj filma në kinema”, ka thënë ajo.
‘Vajzat janë e tashmja’
Përveç temës kyçe të këtij edicioni, Deda ka treguar se këtë vit është transfomuar edhe slogani i vitit të kaluar “e ardhmja është vajzë” në “vajzat janë e tashmja”. Sipas saj krejt kjo ka ndodhur për shkak të numrit të madh të vajzave dhe grave që marrin pjesë në forma të ndryshme në këtë organizim.
“Këtë slogan e kemi bërë për shkak të numrit të madh të vajzave që marrin pjesë, përkatësisht 87 regjisoreve në programin e festivalit. Arsyeja është e thjeshtë: Ky është festival që bjen narrativa dhe gjysma e narrativave në botë janë prej vajzave”, është shprehur ajo.
Përndryshe në një raport të Institutit GAP të vitit 2015, është thënë se festivali Dokufest kishte ndikuar në buxhetin e qytetit të Prizrenit, pasi i njëjti kishte rritur aktivitetin ekonomik për mbi 2.4 milionë euro. Sipas po të njëjtave përfundime është përmendur po ashtu se në rast të llogaritjes edhe të shpenzimeve për konsum, ndikimi vjetor i festivalit kishte prekur shifrën e mbi 4.7 milionë eurove.