Gjashtë të vrarë nga shpërthimi i një bombe në Somali

Prishtinë | 31 Maj 2020 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Së paku gjashtë persona janë vrarë të dielën, kur një minibus ra në një bombë të montuar në rrugë afër kryeqytetit somalez, Mogadishu, thanë dëshmitarët dhe policia.

Me këtë automjet ishin duke udhëtuar disa persona, kryesisht pjesëtarë të së njëjtës familje të gjerë. Ata ishin nisur për të marrë pjesë në një funeral në një qytezë të afërt, kur minibusi ra në bombë në fshatin Haëa Abdi, 19 kilometra në veriperëndim të Mogadishu-t.

“Deri më tani dimë se shpërthimi i ka vrarë gjashtë persona dhe i ka lënduar të tjerët. Numri i viktimave mund të rritet”, tha Farah Hassan, zyrtar policor, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Rruga ku ndodhi shpërthimi shfrytëzohet shpesh nga automjetet e qeverisë dhe të forcave të sigurisë. Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

“I barta me veturë katër të vdekur, përfshirë njerkun tim”, tha Nur Haji Ahmed nga një spital ku ishin dërguar edhe të plagosurit. Ai kishte shkuar në vendin e ngjarjes pas pranimit të një telefonate nga një i afërm.

Të ngjashme