Gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit, në Komunën e Ferizajt mbi 500 qytetarë kanë regjistruar pronat e tyre në emër të përbashkët me bashkëshortët.
Sipas zyrtarëve komunalë, për këtë ka ndikuar vetëdijesimi i qytetarëve dhe lehtësirat që ka sjellë ligji që parasheh fuqizimin dhe rolin e gruas në shoqëri.
“Vetëdijesimi ka ndikuar që në Ferizaj të ketë numër të kënaqshëm të regjistrimit të pronave në emër të dy bashkëshortëve. Ky trend ka vazhduar edhe gjatë kohës së pandemisë, ku deri tash i kemi mbi 500 raste të regjistrimit. Pra faktor kyç është vetëdijesimi i qytetarëve, por edhe lehtësirat që i ka sjellë ligji për këtë çështje. Kjo është edhe një garancion shtesë që të respektohet pozita e femrës në shoqëri dhe kjo ka ndikuar më së shumti te moshat e reja”, ka thënë drejtori për Pronë në Ferizaj, Sabri Murseli.
Sipas tij, në raste të divorceve të bashkëshortëve asnjë veprim nuk mund të merret nga Gjykata pa pëlqimin e dy palëve, sepse dy bashkëshortët janë hisedarë në pronën e tyre të caktuar.
“Vetë fakti që janë regjistruar në emër të përbashkët edhe menaxhimi i pronave do të bëhet në emër të përbashkët. Pra, asnjë veprim juridik nuk mund të merret pa pëlqimin e dy palëve në raste të përkeqësimit të raporteve apo divorceve të tyre”, ka shtuar Murseli.