Në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit është realizuar një veprim hetimor i gërmimit dhe eksumimit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Sipas raportit policor, më 16 prill 2026, njësitë përkatëse kanë zhvilluar operacionin në lokacionin e varrezave të dëshmorëve në këtë fshat. Gjatë gërmimeve janë hasur eshtra që dyshohet se i përkasin së paku një personi, i cili mendohet të jetë zhdukur gjatë periudhës së luftës 1998–1999.
Autoritetet kanë bërë të ditur se mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do të kryhen ekzaminimet përkatëse.
“Fshati Negrovc, Komuna e Drenasit, Prishtinë 1998/1999 NN. Me datën 16.04.2026 nga njësitë përkatëse është realizuar veprimi hetimor i gërmimit/eksumimit në lokacionin e varrezave të dëshmorëve në fshatin e lartcekur, aty janë hasur eshtra që dyshohet se i përkasin së paku një personi, i cili dyshohet se ishte zhdukur gjatë periudhës së luftës 1998–1999. Mbetjet e eshtrave janë dërguar në IML për ekzaminim mjeko-ligjor”.