Të paktën dy mbetje mortore të viktimave të luftës në Kosovës janë gjetur në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës.
Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për Persona të Pagjetur.
Në këtë pjesë edhe në të kaluarën janë gjetur trupa mortore nga lufta e fundit në Kosovë.
“Gjatë gërmimeve të realizuara sot , janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore te të paktën dy personave, dy viktimave shqiptare të luftës. Ndërsa në tërësi nga katër gërmimet e realizuara gjatë këtyre tre muajve janë zhvarrosur mbetjet mortore te të pakten gjashtë viktimave të luftës. Edhe pse vetëm pasi të përfundojnë gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së mund të konfirmohet numri i personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre”, ka thënë Gara.
Ai shtoi se duke vlerësuar lart angazhimin e mekanizimave kompetent institucional por edhe shoqatave të familjeve të personave të zhdukur, “presim që bashkërisht të kthehemi sërish në këtë lokacion, pra ky lokacion do të trajtohet, varësisht nga të dhënat dhe informatat që mund të sigurojmë dhe që jemi duke i trajtuar në kuptimin e shqyrtimit të hollësishëm dhe analizimit të tyre. Për fund mund të theksohet së nga vitet e para të pasluftës deri më sot në këtë lokacion janë gjetur dhe zhvarrosur më shumë se 60 viktima të luftës, të groposur nga forcat serbe në këtë hapësirë të varrezave të qytetit, në përpjekje për të mbuluar gjurmët e krimeve”, tha Gara.