Mbetje mortore janë gjetur sot në lokacionin e varrezave të besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës.
Gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të të paktën dy personave.
Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona te Zhdukur ka konfirmuar për Reporterin se eshtrat e zhvarrosur sot iu përkasin dy viktimave shqiptare të vrarë në një fshat të Komunës së Mitrovicës nga forcat serbe gjatë luftës dhe të groposura në këtë hapësirë të varrezave në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve.
Gara ka shtruar se identiteti i viktimave mbetet të konfirmohet pas ekzaminimeve mjekoligjore përfshirë edhe identifikimin përmes analizës se ADN-së.
“Sot jemi rikthyer ne lokacionin e ‘varrezave të besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës’, në kërkim dhe përpjekje për gjetjen e dy viktimave të luftës që aktualisht mund të jenë në listën e personave te zhdukur. E themi jemi rikthyer meqë është hera e tretë që gjatë këtyre muajve punohet në këtë lokacion.
Gjate gërmimeve të realizuara sot janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore, ose eshtrat, e të paktën dy personave.
“Po ashtu, në bazë të informatave qe kemi shqyrtuar dhe analizuar paraprakisht, eshtrat e zhvarrosur sot iu përkasin dy viktimave shqiptare të vrarë në Mitrovicë nga forcat serbe gjatë luftës dhe të groposura në këtë hapësirë të varrezave në përpjekje të forcave serbe për të fshehur gjurmët e krimeve. Sigurisht qe identiteti do të konfirmohet pas ekzaminimeve mjekoligjore përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së”, është shprehur Gara për Reporterin.
Gara ka shtruar se në këtë lokacion dyshohet edhe për disa viktima që vazhdojnë të jenë të varrosura aty. Ai ka konfirmuar se gërmimet do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.
“Sipas trajtimit dhe analizimit te informatave nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim të ngushtë me mekanizmat tjerë kompetent institucional por edhe gjatë takimeve mes dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit te Kuq, ka edhe disa raste te viktimave që vazhdojnë të jenë në këtë lokacion dhe rrjedhimisht kjo i bie qe do te kthehemi prape në këtë lokacion në javët ne vijim”, u shpreh ai.
Gara ka falënderuar familjarët e personave të zhdukur që po vazhdojnë bashkëpunimin dhe po e përkrahin këtë proces. Krahas kësaj ai ka bërë apel edhe tek familjet që deri më tani kanë hezituar të japin mostrat e gjakut që t’u ndihmojnë në këtë proces.
“Edhe në këtë rast duhet shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë familjarët e personave te zhdukur te cilat dhanë aq shumë nga jetët e tyre dhe përkundër dhembjes vazhdojnë bashkëpunimin dhe të na përkrahin ne ketë proces. Krahas mirënjohjes dhe falënderimet, bëjmë apel edhe për familjet që deri me tani kane hezituar te japin mostrat e gjakut, te na ndihmojnë edhe me tutje duke ofruar mostrat e gjakut. Po ashtu presim edhe nga qytetarët qe mund te kenë informacione qe do te mund te na ndihmonin në këtë proces t’i ndajne ato me institucionet kompetente te Republikës se Kosovës” u shpreh Gara.
Mbetje mortore në këtë lokacion janë gjetur edhe gjatë muajit të kaluar