Mëngjesin e së hënës, I.Gashi 55 vjeç nga fshati Mramor i komunës së Prishtinës u gjet pa shenja jete në veturën e tij rreth orës 8:35 të mëngjesit.
Një kalimtar i cili po ecte nëpër rrugët e fshatit e kishte parë Gashin në veturë pa shenja jete. Ai menjëherë e ka lajmëruar policinë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar.
Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online edhe zëdhënësja për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Policia këtë rast po e cilëson si vdekje të dyshimtë. Ndërkohë që hetimet po vazhdojnë.
“Rreth orës 08:00 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në fshatin Mramor. Bëhet fjalë për viktimën I.G. 55 vjeç, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion dhe rasti është cilësuar vdekje e dyshimtë”, ka thënë Ahmeti.