Gjendje shqetësuese e ngordhjes së gjedhit në Istog

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 12:34 | Nga

Komuna e Istogut është duke u përballur me një gjendje shqetësuese të sëmundjes gungore të gjedhit.

Në Istog tashmë janë të evidentuara 18 raste të asgjësimit në mënyre të kontrolluar dhe sipas informatave nga tereni mbi 100 raste të tjera janë të prekura nga kjo sëmundje, pasi që çdo ditë po paraqiten dy deri në tri raste të reja.

Për këtë qëllim nënkryetari Lulzim Blakaj, drejtori i Inspeksionit Demë Ceta, ushtruesi i drejtorit për Bujqësi Beqir Meta, si dhe inspektori komunal i Veterinarisë Xhavit Demaj, kanë mbajtur sot takim me përfaqësuesit e firmave veterinare të komunës së Istogut, për marrjen e masave parandaluese së sëmundjes gungore te gjedhit .

Nga ky takim u konkludua se gjendje është alarmante dhe shqetësuese, andaj komuna e Istogut kërkon nga Agjencia i Veterinarisë dhe Ushqimit që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e veta për sigurimin e mjeteve për blerjen e vaksinave që ndikojnë në parandalimin e kësaj sëmundje dhe të shohin mundësinë e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga kjo sëmundje për shkak se fermerët e komunës së Istogut rritjen e gjedhit e kanë burim të vetëm të jetesës .

Komuna e Istogut ka marrë të gjitha masat për parandalimin e kësaj sëmundje duke bërë mbylljen e tregut të kafshëve, hapjen e gropës për groposjen dhe asgjësimin tyre dhe kontrollimin e mishit në thertore dhe në pika të shitjes së tij nga inspektori komunal i veterinarisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme