Gjenealogjia e një krimi të shumëfishtë

Prishtinë | 21 Kor 2024 | 14:46 | Nga Halil Matoshi

Krimineli ordiner në kângët patriotike shqiptare, (natyrisht me përjashtime) zakonisht profilizohet si trim me fletë, që i reziston ligjit në Atdhe dhe eventualisht vret ndonji ‘shka”, (emërtim në pezhorativ për serbët) apo lufton me nji ‘dërzhavë’, të shumten e herave kundër interesave të vendit të vet!?

Derisa në Beograd, Kancelari gjerman Olaf Scholz po nëshkruente pakt ekonomik miliardësh me Aleksandar Vučić-in për litiumin, kosovarët po e bâjnë historinë, tue ngritë tek rètë nji kriminel ordiner.

Qeveria kosovare ka bâ mirë që ka denu vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të ti, në Loznica të Serbisë dhe FH e ka quejt me emnin e vet, simas burimit etimologjik të fjalës: kriminel.

Kjo nuk negociohet.

Porse, ashiqare sistemi burgor kosovar ka dështu në riedukimin dhe integrizmin e FH në shoqni.

Pse përserisin gënjeshtrat etniciste dyja Qeveritë rreth aktit kriminal të FH?

Edhe rastin e tmerrshëm të FH në Loznica, propaganda qeveritare Serbe po e përdor për me e sforcue diskursin e saj stereotip për “shqiptarin terrorist” dhe me e qitë keq Kosovën në sytë e Fuqive të Mdha, si eksportuese e terrorizmit, gjâ që vet Serbia e ka specialiteit.

Kurse propaganda e Qeverisë kosovare gënjeshtren se Serbia mezi po pret me e pushtu Kosovën po e përdor dendun kundër rezistencës së brendshme, si armë me të cilen vret aftësinë e publikut me e dallu gënjeshtren nga e vërteta. Propaganda e Qeverisë Kurti (Presidentes dhe kreut të Kuvendit) për luftën që po do me nisë Serbia kundër Kisovës, deirisa Perëndimi po e lue strucin, tue shti kryet në zallë, e ka nji qëllim: publiku në Kosovë mos me i besu ma faktit!?
Me e neutralizu medien dhe individët kritikë!?
Dhe eventualisht me e nxitë Perëndimin për sanksione ndaj Serbisë (për me u barazi!???)
E krimi s’ka etni, as ideologji. Krimineli âsht i zhveshun nga çfarëdo empatie e sensi i bashkësisë.

Mania e akuzimit të Serbisë për çdo gjë që ndodh në Kosovë âsht e frikshme dhe e rrezikshme, derisa mekanizmat e sigurisë nacionale heshtin!?

Hannah Arendt, filozofja e famshme hebreje, e lindun në Gjermani, gënjeshtrën e vazhdueshme të pushtetit e kundronte si levë që nuk ka për qëllim t’i bëjë njerëzit të besojnë një gënjeshtër, por ta paralizojnë publikun që të mos jetë ma në gjendje të besojë asgjâ. Simas saj, nji popull që nuk mund të dallojë më të vërtetën nga e pavërteta, nuk mund të dallojë të drejtën nga e gabuemja. Dhe një popull i tillë, i cili e konsideron veten të privuet nga fuqia e tij, për me mendu dhe gjyku, gjithashtu, pa ditë e pa dashtë, i nënshtrohet plotësisht ligjit të gënjeshtrës. Me një popull të tillë mund të bësh çfarë të duesh, konstaton Arendt!

Pse kjo Qeveri etniciste nuk munet me u ngritë në nivel të rezonit shtetnor?

Nji shprehje keqardhje e ngushëllimi për familjet që humbën bijtë e tyne, nga dy anët e anmiqve aksidental të Kullës së Babelit (përfshi familjen fatkeqe të Fatonit) kish me qenë akt empatie njerëzore që përkon me të Drejten Humanitare.

Sikur edhe të shprehej lutje për shërimin e të plagosunit dhe të shprehej gatishmëni për bashkëpunim (ekspertizë) për zbardhjen e rastit, qoftë edhe pales së tretë (EULEX-it) kish me i dhânë kredi diplomatike lidershipit kosovar për Raison d’Etat!

Por këtë s’munet me e bâ Qeveria paranojake, që nuk i zbaton detyrimet e veta Kushtetuese, gjyqësore dhe Ndërkombëtare, që paradite akuzon Serbinë se po përgatit luftë pushtuese, në mesditë mediat e opozitën për bashkëpunëtorë të Vučič-it, e në prâmje krejt dynjanë, për komplot!?

Sepse mendësia e Albin Kurtit & co nuk di me funksionu në paqe. Nuk prodhon siguri!
Dhe kjo Qeveri, duhej të niste hetim të madh kombëtar për këtë rast (a pati abuzime të sistemit me FH, përgjatë viteve?) para se të lëshohej në konspiracione, si Rabit Konjufca (zyrtar në Ministrinë e FSK) që tërthort implikonte shtetin kosovar për inkursion me trupa në Serbi, tue bâ nji baraspeshim idiot me rastin e paramilitarit Radojčić, që mësynte organizim të kryengritjes në veri, me nji vrasës gjakftohtë e t’pa hajr!?

Kurse në anën tjetër zâvendëskryeministri Besnik Bislimi bânte pyetje po aq idiote pse “i larguemi” nga sistemi kosovar i drejtësisë e zgjodhi Serbinë e jo Shqipninë, në vend se ta kapnin t’arratisunin, siç deklaronte kolegu i tij Sfeçla, simas të cilit “kapja ishte çâshtje orësh”, e cila, paradoksalisht kishte me ia pshtue jetën!?

Shoqni mbi ligjin

Nuk jam marrë me anët triviale të nji krimi klasik. Mue më interesojne tri aspekte shoqnore që po dëshmojnë plasaritje në unitetin kombëtar dhe shtetnor:

Kjo shoqni jopolitike, pra é etnicizueme (si narracion i pushtetit (pushteteve)), ka probleme tradicionale me vendosjen e Ligjit dhe shtetit të së drejtes. Shoqnia kosovare, ka dështu në mbrojtjen e dëshmitarëve të krimit dhe nuk ka fare empati për viktimat. Nji shkelës brutal të ligjeve në liri, e cilëson si hero dhe e ngrit në tribun popullor.
Kjo shoqni legjitimon dhunën ndaj tjetrit/tjetres, që e kundron për anmik, tue shfaqë agresion ndaj secilit që ia kritikon veset dhe pikëtiimin e tjetrit – me hamendësim – si tradhtar dhe spiun i Vučić-it.

Kjo Qeveri në këtë rrafsh, dyzohet me turmat tue përligj shenjestrimin e tjetrit si anmik dhe fabrikimit të anmiqve, për me i mlu dobësitë dhe mosdijen e vet, mendësinë korruptive e nacionaliste.

Kjo shoqni vuen nga manifestimi i burrnisë si pasojë e kompleksit të zhburnimit (bullizimit) nga pushteti serbian hegjemonist, për nji shekull rresht. Nacionalizmi i shoqnisë kosovare âsht krejtësisht vulgar dhe buron nga kompleksi i kastrimit. Porse, mbështjellja me petkun fetar islam (shumica e heroizuesve të FH ia dëshirojshin xhenetin!?) tue i dhânë aurën e nji xhihadisti të shtetit të Shamit!?

Sindroma e heroit

Faton Hajrizi mishnon narrativën e historiogeafisë dhe politikës albanologjike në Kosovë, nis e bitis. Profili i tij i naltë p’ej krimineli frymëzon vulgus-in (turmat) për ecjen kundër ligjeve, për në zemrën e popullit.
Heroi nacional shqiptar i Kosovës aktualisht âsht ai i cili vret nji ushtar të ri rus (që as vet s’kishte ide përse ndodhej në Skënderaj!?) dhe nji serb në detyrë (polic trafiku) e nji tjetër e plagosë. në vendin e tyne të punës dhe në vend të vet, pa asnji lloj faji personal në raport me Kosovën dhe shqiptarët!?

Paçka se i njajti “Hero i turmës” ka plaçkitë dyqane e plagosë policë kosovarë, ka vjedhë e ka rrehë njerëz brenda komunitetit të tij!? Pavarësisht se prej 15-vjeç ka qindru mbi ligjin e Atdheut të tina!

Ia ka qitë faqen e zezë shtetit për me ia qitë kângën nepër odat plot tym duhani, fènë e pordhë burrash!

Për me hi në kângë të fshatit të tyne, ata e cënojnë interesin nacional – shkruente Ismail Kadare – në librin “Ra ky mort e u pamë”, gjatë Konferencës së Rambouillet.

“…munden me m’çu drejt në morg e me m’vorrosë krejt katuni jém, krejt Skenderaj e Klina!?”

Narrativa e shumicës së kosovarëve azgana vulgarë, âsht kjo: krimineli ynë âsht i mirë (Hero) kurse i pafajshmi i tyne (serbëve) âsht agresori/anmiku, të cilin duhet me e vra, edhe kur i kqyrë punët e veta! Edhe kur âsht n’shpi t’vet.

Autorja e njohtun Laura Berman Fortgang, e përshkroi ‘Sindromën e Heroit’ si nji fenomen që prek njerëzit që kërkojnë heroizëm ose njohje, zakonisht tue kriju nji situatë të dëshpërueme, të cilën ata kinse munen me e zgjidhë që më pas me marrë vlerësimet nga të vetët.

Koftë edhe veç nji kângë fshati në qifteli!?
Kjo munet me përfshi veprime të paligjshme, abuzive si zjarrvënie e plaçkitje t’armatosuna, tentativë për vrasje deri edhe vrasje të personave të shenjëzuem nga nji narrativë kolektive, shoqnore, si “tradhtarë” e “spiuj”, si nji rus apo nji serb, individualisht të pafajshëm, por të shenjestruem nga narrativa e besimeve popullore e folklori, si zâvendësim për zhburrnim ose mohim të burrnisë nga komuniteti vetanak!

Rrëshqitja gjuhësore e shqipes së shtetit kosovar!

Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu në anën tjetër, e prekun nga sindroma Dunning – Kruger, palë që shkruen fjali pa logjikë, tue ulë në minimum performansën e shtetit.
Simas logjikës së saj gjuhësore, nuk dënohet vrasja por dënimi i vrasjës!

Kqyrnja fjalinë që nuk flet asgjâ për rastin FH por e shprehë vet ministren!?

“(…) Dënimi ndaj vrasjes së policëve ishe padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Në dënojmë fuqishmëm çdo veprim të tillë.(…)”

Kështu “shkruen” shteti i Kosovës me mendjen dhe fuqinë e 51-përqindshit, por ku e ka zorin që me e lidhë arratisjen e FH me Serbinë?

Me e fsheh kolaptimin e sistemit sepse ajo vetë âsht direkt përgjegjëse për burgjet.
Ministrja e drejtësisë po thotë se

“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.

A do me thânë kjo se burgjet në Kosovë i ka në dorë Serbia!?

A kanë thânë kështu organet tona të Sigurisë???

Dikush duhet me folë në këtë situatë të rrezikut për sigurinë kombëtare që i vjen nga partizimi i shtetit.

Dhe, a merr dikush përgjegjësi kur Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla dhe zâvendedkryeministrja e shtetit, për çlirimin dhe pavarësimin e të cilit, shteti gjerman u angazhu tue ra ndesh me parimet e veta kushtetuese, akuzon aleatin e Kosovës se me këtë pakt ekonomik me Serbinë, po e inkurajon Serbinë me e pushtu Kosovën!?

Për besë Albini âsht në telashe të mdha!

Të ngjashme