Gjenerali rus: Washingtoni ua dha dritën jeshile shqiptarëve për bazë ushtarake në Mitrovicë

Prishtinë | 11 Pri 2021 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

“Shqetësimi i serbëve për planet e shqiptarëve për të ndërtuar një bazë ushtarake për njësitë e tyre ushtarake në kodrën e Cërnushës është i justifikuar”, tha gjeneral-koloneli në pension i Federatës Ruse dhe doktori i shkencave historike, Leonid Grigorijeviq Ivashov, raporton “Vecernje Novosti”.

Ivashov thotë se “amerikanët janë të pandershëm kur thonë se ky është një vendim autonom i shqiptarëve nga Kosova”.

“Nëse një kolonel amerikan, për të mos përmendur një gjeneral apo një politikan më të rëndësishëm, u tha shqiptarëve të Kosovës që të mos formojnë një bazë të tillë, ajo nuk do të ekzistojë më”, tha ai, transmeton Gazeta Express.

Ivashov theksoi se shqiptarët kanë marrë dritën jeshile për krijimin poligonit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicë të Jugut.

Reklamë

“Amerikanët iu dorëzuan vazhdimisht shqiptarëve dhe bënin sikur nuk shihnin se çfarë po bënin” tha ai.

Duke komentuar faktin se po zhvillohet një stërvitje e NATO-s në Kosovë për të transferuar shpejt forcat amerikane në vende të ndryshme në Evropë, Ivashov tha se të gjitha stërvitjet në të cilat aktorët kryesorë janë amerikanët kanë kryesisht karakter anti-rus.

“Washingtoni po përhap frikë në Evropë. Ky skenar është plotësisht i qartë. Është e padiskutueshme që NATO qeveriset nga Amerika. Në Washington, ata po përpiqen t’ua provojnë evropianëve se vetëm ata mund t’i mbrojnë dhe sigurojnë ata dhe për këtë arsye duhet t’i dëgjoni ata. Ata kanë nevojë për t’i mobilizuar njerëzit. Amerikanët duan t’i kthejnë ata kundër Rusisë. Kur i bëjnë evropianët plotësisht të bindur, amerikanët mund t’ua imponojnë interesat e tyre ekonomikë atyre si diçka plotësisht të justufikuar”, tha ai.

Krijimi i një poligoni të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Mitrovicë të Jugut, ka ngjallur reagime edhe në Serbi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar paralajmërimet për formimin e siç është shprehur ai “bazës së FSK-së” në Cërnushë të Mitrovicës së Jugut.

“Nëse del ndonjë rrezik apo kërcënim më serioz për popullin serb…Nuk kam nevojë të vazhdoj. E dinë serbët e ‘Kosovës e Metohisë’”, tha Vuçiq.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, komuna e të cilit më 26 mars i ndau rreth 200 hektarë për ndërtimin e poligonit në kodrën e Cërnushës. Ai tha se ky poligon nuk cenon sigurinë e askujt.

“Baza ushtarake e FSK-së që do të ndërtohet në kodrën e Cërnushës nuk është provokim për askënd e as nuk do ta cenoj sigurinë e banorëve serbë të Kosovës, të cilët i mbron dhe do t’i mbrojë shteti i Kosovës me mekanizmat e tij sikurse gjithë banorët e Republikës tonë”, tha Bahtiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme