Me një udhëtim, që në letër vlerësohet të mos jetë shumë i vështirë, përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll nis ciklin e dytë eliminator të saj.
Të enjten (sot) nga ora 18:30 në Andorra la Vella, ekipi Shpresa i Kosovës takohet me përfaqësuesen U-21 të Andorrës. Kosova U-21 është në grupin e tretë eliminator për Evropianin e vitit 2021, ndërsa Andorra vlerësohet kundërshtarja dukshëm më e lehtë në grup, shkruan sot Koha Ditore.
Një fillim i suksesshëm, përkatësisht me fitore, vlerësohet me shumë peshë për përfaqësuesen e drejtuar nga Rafet Prekazi. Prej ekipit Shpresa pritet hap tjetër para, pas paraqitjes së denjë në kualifikimet e para, ato për “Euro 2019”.
Në një grup të fortë me Gjermaninë, Norvegjinë, Irlandën, Izraelin e Azerbajxhanin, Kosova kishte mbledhur 12 pikë në 10 ndeshje. Është vlerësuar më së shumti barazimi pa gola me Gjermaninë, kampionen në fuqi të Evropës.
Në fund të atij cikli, seleksionuesi Prekazi nisi me ndërrim të gjeneratës, ndërsa fazë transicioni u vlerësuan edhe dy miqësoret e fituara në mars, ndaj Turkmenistanit (3:2) dhe Maltës (1:0). Tani për gjeneratën e re të Shpresave ka ardhur koha për sfida të vërteta. Kosova U-21 menjëherë më 11 qershor do të sfidohet seriozisht kur në “Fadil Vokrri” në Prishtinë përballet me Turqinë.