Një gjykatë gjermane të enjten e dënoi me burgim të përjetshëm ish-zyrtarin sirian të inteligjencës, Anwar R., për vrasje dhe torturim. Rasti ka peshë për dënimin e krimeve kundër njerëzimit në luftën e gjatë e të përgjakshme civile.
I akuzuari, i identifikuar si Anwar R., është akuzuar për 58 vrasje si dhe për dhunim seksual në një burg të Damaskut, i cili ishte nën mbikëqyrjen e një njësie të inteligjencës që e udhëhiqte ai. I dyshuari i ka mohuar të gjitha akuzat.
Prokurorët e siguruan nisjen e rastit sipas ligjeve gjermane për juridiksion të përgjithshëm, të cilat ua lejojnë gjykatave ndjekjen penale të krimeve kundër njerëzimit, të kryera në cilindo vend të botës.
Vendimi i gjykatës në Koblenz është i dyti që lëshohet në Gjermani për krime kundër njerëzimit në luftën e Sirisë. Vitin e kaluar, Eyad A., ish-pjesëtar i shërbimit sirian të inteligjencës, u dënua me katër vjet e gjysmë burgim për mbështetje të torturimit të civilëve.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe Kina i kanë bllokuar me veto përpjekjet e fuqive perëndimore që konfliktin në Siri ta dërgojnë për trajtim në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, duke u lënë pak mundësi për të kërkuar drejtësi të mbijetuarve të torturimeve dhe sulmeve me armë kimike.