Shkuarja e shumë shqiptarëve në Gjermani ka filluar në fillim të viteve 90-të. Ndërsa gjatë luftës së Kosovës është shtuar dukshëm numri i shqiptarëve të strehuar në Gjermani – në radhë të parë të atyre me origjinë nga Kosova.
Në fund të viteve 90-të numri i shqiptarëve nga Kosova në Gjermani kishte arritur shifrën prej rreth 400 000. Deri në vitin 2008, gati 100 000 janë kthyer vullnetarisht. Por më pas sërish është shtuar numri i shqiptarëve në këtë vend.
Nga fundi i vitit 2014 dhe në veçanti në fillim të vitit 2015, Gjermania është vërshtuar nga një valë e re e shqiptarëve, fillimisht nga Kosova e më pas edhe nga Shqipëria.
Vetëm nga Shqipëria në Gjermani gjatë vitit të kaluar kanë kërkuar azil rreth 55 000 persona dhe po aq edhe nga Kosova. 100 000 azilkërkuesit shqiptarë bënë që në fund të tetorit 2015, Gjermania i ka shpallur Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi vende të sigurta të origjinës, që do të thotë se shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë gati kurfarë shansi të marrin azil politik në këtë vend.
Kjo ka bërë që shumë shqiptarë të kthehen vullnetarisht në vendlindje, por ka pasur edhe shumë raste të kthimit me detyrim.
Shkuarja masive e ballkanasve për azil bëri që Qeveria gjermane të hapë një program për punësimin e tyre të drejtpërdrejtë pasi që supozimi ishte që këta edhe shkonin për punë në Gjermani. Ky program që tashmë ka nisur qe një vit tregon që ishte një gjetje e duhur.
Sot mediat gjermane kanë raportuar edhe statistikat e Zyrës Federale për Punësim e cila është përgjegjëse për dhënien e vizave të punës.
Sipas njoftimeve zyrtare nga kjo agjensi të cilat i ka botuar agjensia shtetërore e lajmeve dpa, deri në fund të muajit. Nëntor, në Gjermani kanë ardhur 50 000 shqiptarë nga Kosova, shqiptarë nga Shqipëria, boshnjakë, malazezë, serbë dhe maqedonas të cilët pasi kanë aplikuar për viza pune me garancione pune.
Qeveria gjermane ka njoftuar që programi në fjalë do të vazhdojë edhe për vitin 2017. Të gjithë ballkanasit të cilët nuk kanë marrë ndihma nga shteti gjerman dhe kanë garancione pune mund të aplikojnë për viza pune është bërë e ditur nga DPA.