Më 1 mars hyn në fuqi ligji i ri i punës dhe emigracionit në Gjermani, ligj i favorshëm për njerëzit nga Ballkani, të cilët planifikojnë të punojnë në këtë vend, transmeton Gazeta Metro.
Gjermania po përballet me mungesë të madhe të punëtorëve në profesione të ndryshme, gjë që ka bërë të hartohet ligji i ri, i cili pranon punëtorët, shtetas të huaj të kualifikuar për punët të cilat kërkohen.
Kjo mungesë e cila po shkakton probleme të mëdha në Gjermani, është bërë shkak që Qeveria Federale në Berlin të kërkojë një numër të madh punëtorësh, sidomos nga rajoni i Ballkanit, shkruan Al Jazeera.
Për të tërhequr sa më shumë punëtorë nga shtetet tjera, Gjermania tashmë ka hapur edhe një zyrë në Bon, ku do të koordinohet njohja e kualifikimeve profesionale, të cilat janë marrë jashtë Gjermanisë.
“Pa profesionistë të huaj, ne nuk do të jemi në gjendje që ta ruajmë mirëqenien tonë. Ne nuk mund të rrimë dhe thjesht të presim që këta njerëz të vijnë. Ne duhet të punojmë shumë për ta”, ka thënë ministri për punë në Qeverinë Federale, Hubertus Heil.
Se mungesa e punëtorëve është alarmante e thonë edhe nga Byroja Gjermane e Statistikave. Sipas tyre, numri i shtetasve me moshë pune deri në vitin 2035 do të zvogëlohet prej 4 deri në 6 milionë. Gjë që po shihet si një rrezik i jashtëzakonshëm.