Gjermania mposht historinë – dhe Italinë

Prishtinë | 03 Kor 2016 | 13:46 | Nga

Gjermania kualifikohet me penallti dhe shkon në gjysmëfinalet e Euro 2016. Kjo është fitorja e parë pas 40 viteve në një kompeticion të madh kundër Italisë.

Gjermania kualifikohet me penallti ndaj Italisë dhe shkon në gjysmëfinalet e Euro 2016, ku do të ndeshet me Francën ose Islandën. Kampionët e Botës dhe “të kaltërit” u ndanë në barazim 1-1 në 90 minutat e sfidës së Bordo, nuk shënuan në shtesë dhe diferenca u bë nga pika e bardhë e 11 metrave.

Gjermania shënoi gjashtë nga nëntë penalltitë e ekzekutuara, ndërsa Italia gaboi katër të tilla, e fundit me Mateo Darmian, që ndëshkoi kombëtaren e Conte. Kjo është hera e parë që Gjermania kualifikohet kundër Italisë në veprimtaritë madhore. Italia e nisi ndeshjen me Sturaro në vend të Daniele De Rossi që nuk e kaloi testin fizik, ndërsa Low aktivizoi Höwedes në vend të Draxler, por në mesin e pjesës së parë trajneri i Gjermanisë u detyrua të bënte një zëvendësim të detyruar me Schweinsteiger që zuri vendin e Khedira të dëmtuar.

Në pjesën e parë, Gjermania dominoi teritorialisht dhe në qarkullimin e topit, por rastin më të mirë e patën italianët kur Boateng shpëtoi portën me një devijim fatlum pas goditjes së Sturaro, që nuk pati fati. Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë, fati ishte me Sturaro, i cili priti me kokë në vijën fatale goditjen e Thomas Muller, duke shpëtuar mrekullisht portën e “të kaltërve”, në rastin më të mirë për gjermanët në një orë lojë. Megjithatë, ishin vetëm provat e përgjithshme të golit që erdhi në minutën e 65-të. Një lëvizje inteligjente e Mario Gomez e nxori Hector në zonën e Italisë dhe pasimi i saktë i mbrojtësit gjeti në qendër Mesut Ozil, i cili goditi në qendër, por arriti të mposht Buffon, duke realizuar një gol historik.

Italia “u shastis” nga goli i pësuar dhe vetëm tre minuta më vonë Mario Gomez mund t’i kishte ndëshkuar sërish po të mos kishte qenë për pritjen vendimtare të Gigi Buffon. Pikërisht kur Italia po dukej e lodhur dhe pa forcë për të barazuar erdhi goli i barazimit me 11-metërsh, pasi Boateng e preku topin me dorë në zonën e Gjermanisë dhe gjyqtari Kasai akordoi penallti. Leonardo Bonuci mposhti Manuel Neuer, duke vulosur barazimin 1-1 që e çoi çerekfinalen e Bordosë në shtesë.

Në 30 minutat e shtesës dy skuadrat më shumë kishin frikë nga njëra-tjetra sesa dëshirë për të fituar ndeshjes, kësisoj nuk pati gol dhe pas nëntë ndeshjeve mes Italisë dhe Gjermanisë në veprimtaritë madhore, gjermanët ende nuk kanë arritur asnjë fitore. Draxler dhe Insigne, që të dy të aktivizuar në ndeshje e sipër, patën mundësitë e vetme për të dyja ekipet në shtesë, por nuk i shfrytëzuan pavarësisht se ishin më të freskët se të tjerët.

Penalltitë – Lorenzo Insigne shënoi penalltinë e parë për “të kaltërit” me shumë lehtësi, ndërsa gjermanët u përgjigjën me 11-metërshin e realizuar nga Toni Kroos. Simone Zaza, i aktivizuar vetëm për të gjuajtur penalltinë, në minutën e 120-të, bëri një gabim fatal duke goditur mbi traversë, por Buffon e korrigjoi menjëherë duke neutralizuar penalltinë e Tomas Muller. Barzagli shënoi për Italinë penalltinë e tretë, ndërsa Ozil goditi shtyllën, duke i dhënë avantazhin Italisë, të cilin e shpërdoroi menjëherë Pelle, që gaboi duke goditur jashtë. Draxler shënoi penalltinë e katërt për gjermanët, 2-2. Bonuci gaboi, ndryshe nga ajo që ndodhi në lojë, ndërsa Schweinstaiger mund t’i jepte kualifikimin skuadrës së Low, por edhe ai gaboi! E pabesueshme, u humbën 6 nga 10 penalltitë e para. Giaccherini, Hummels, Parolo, Kimmich, De Sciglio dhe Boateng shënuan, 5-5.

Në penalltinë e nëntë erdhi gabimi vendimtar i Darmian, i cili u hipnotizua nga Neuer duke i dhënë mundësinë Hector të realizonte një penallti historike që kualifikoi Gjermaninë për në gjysmëfinalen e Euro 2016, ku do të ndeshet me Islandën ose Francën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme