Gjermania pranon të ketë kryer gjenocid në Namibi

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha sot se autoritetet e këtij vendi kanë marrë një vendim me të cilin Gjermania do të njohë zyrtarisht se ushtria e këtij vendi ka kryer gjenocid në zonën e Namibisë në fillim të shekullit të XX-të.

Heiko Maas vuri në dukje se kjo lëvizje nga Gjermania është një “gjest i njohjes së vuajtjeve të mëdha” të njerëzve të Namibisë. Përveç pranimit që ushtarët e tyre kanë kryer gjenocid, Gjermania do të krijojë një fond prej 1.1 miliardë eurosh, i cili do të ridrejtohet në komunitetet në Namibi.

“Që nga sot, Gjermania dhe zyrtarët e saj do t’i quajnë ngjarjet në Namibi ashtu si i shikojnë nga perspektiva e sotme, dhe kjo është gjenocid”, tha Maas, raporton theguardian.

Ai theksoi se është detyra e Gjermanisë të kërkojë falje nga Namibianët dhe pasardhësit e viktimave të gjenocidit.

“Në përputhje me angazhimin moral dhe historik të Gjermanisë, ne do të kërkojmë falje nga Namibia dhe pasardhësit e viktimave për krimet që kemi kryer”, thekson Maas, transmeton Telegrafi.

Tani që Gjermania i ka karakterizuar zyrtarisht ngjarjet në Namibia si gjenocid, së shpejti duhet të nënshkruhet një deklaratë, e cila do të përfshijë përfaqësues të komuniteteve Herero dhe Nama, si dhe përfaqësues të Gjermanisë.

Gjermania do t’i paguajë Namibisë 1.1 miliard euro për të financuar projekte midis komuniteteve të prekura nga gjenocidi Herero-Nama, në atë që qeveria e Angela Merkel thotë se përbën një gjest pajtimi por jo ligjërisht të detyrueshëm dëmshpërblimet.

Gjermania, më saktësisht Perandoria e atëhershme Gjermane, drejtoi zonën e Namibisë midis 1884 dhe 1915. Gjatë periudhës, forcat ushtarake gjermane vranë dhjetëra mijëra anëtarë të komuniteteve Herero dhe Nama dhe numri më i madh i viktimave u regjistrua në vitin 1904, kur Gjenerali gjerman Lothar von Trotha u dërgua në Namibi për të shuar rebelimin e komunitetit Herero.

Historianët bien dakord që midis 65 mijë dhe 80 mijë anëtarëve të komunitetit Herero dhe midis 10 mijë dhe 20 mijë anëtarëve të komunitetit Nama u vranë gjatë asaj periudhe.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme