Gjermania propozon tatim për xhamitë për mënjanimin e fondeve të huaja

Prishtinë | 25 Nën 2018 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Javën e ardhshme në Berlin rimblidhet për herë të parë pas disa vitesh Konferenca Gjermane e Islamit. Sekretari i Shtetit për Vendlindjen në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Markus Kerber, (CDU) u shpreh të shtunën (24.11) për gazetën gjermane “Bild” se lista e të ftuarve përmbledh si shoqatat e xhamive tradicionale ashtu edhe shoqata të reja dhe persona të veçantë.

“Kemi ftuar një spektër të gjerë të jetës islame në Gjermani”. Qëllimi i konferencës është vendosja e piketave më të rëndësishme për tre vitet e ardhshme. Do të diskutohen po ashtu edhe kërcënimet kundër kritikëve të islamit.

Reduktimi i influencave nga jashtë

Një temë që pritet të diskutohet është edhe reduktimi i influencave të huaja tek shoqatat e xhamive. Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kerber u tregua i hapur për një debat të futjes së tatimit për xhamitë.

“Qëllimi duhet të jetë që xhamitë në Gjermani të mos jenë të varura nga ndihmat financiare nga jashtë”, tha ai. Nëse një komunitet e sheh futjen e tatimit për xhaminë si zgjidhje për anëtarët e saj, këtë duhet ta vendosin vetë ata. Kusht është që xhamitë të përmbushin kriteret për subjektet juridike të së drejtës publike.

E rëndësishme, sipas Kerberit, është marrja e më shumë informacioneve për jetën islame në Gjermani, jo vetëm për numrin e xhamive. Kerber refuzoi një kuotë për myslimanët në firma, politikë dhe shoqëri. “Kjo nuk i ndihmon askujt”.

Qëllimi i Konferencës së Islamit në Gjermani, të krijuar në vitin 2006, është të nxisë e mbështesë dialogun mes shtetit gjerman dhe myslimanëve, përmirësimin e jetës së myslimanëve në Gjermani, dhe ushtrimin e fesë në harmoni me rendin kushtetues gjerman.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme