Gjermania shënon rënie shqetësuese të prodhimit brenda një muaji

Prishtinë | 07 Tet 2021 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Prodhimi industrial në Gjerman e ka pësuar në gusht rënien më të madhe që nga prilli i vitit të kaluar për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimeve, të cilat po e pengojnë rimëkëmbjen e ekonomisë më të fuqishme evropiane dhe që e kanë goditur veçanërisht sektorin e automjeteve.

Zyra Federale e Statistikave tha se prodhimi industrial ra për 4 për qind në gusht, pasi kishte shënuar rritje prej 1.3 për qind në korrik, shkruan Reuters.

“Prodhuesit vazhdojnë të raportojnë vështirësi në prodhim për shkak të mungesës së furnizimeve me produkte të ndërmjetme”, thuhet në deklaratën e kësaj zyre.

Vetëm prodhimi i veturave dhe i pjesëve të veturave në gusht shënoi rënie prej 17.5 për qind. Kompanitë gjermane të veturave po kanë vështirësi për ta plotësuar kërkesën pas pandemisë, e cila është rritur nga fillimi i këtij viti. Këto vështirësi po shkaktohen nga mungesa e mikroçipave dhe produkteve tjera të ndërmjetme.

I goditur nga mungesa e mikroçipave, prodhuesi i njohur gjerman, “BMW”, tha se në çerekun e tretë, bashkë me kompanitë që janë nën ombrellën e vet, ka shënuar rënie prej 12.2 për qind në shpërndarjen e veturave të reja.

Të dhënat zyrtare, të publikuara të mërkurën, treguan se porositë industriale në Gjermani shënuan rënie më të madhe sesa pritej në gusht për shkak të kërkesës më të ulët nga vendet e huaja pas dy muajve të rritjes së pazakontë falë kontratave të mëdha.

Të ngjashme