Gjermanisë i ndalohet të stërvitë në Wembley para ndeshjes me Anglinë

Prishtinë | 28 Qer 2021 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Ekipi kombëtar i Gjermanisë nuk do të lejohet të stërvitë në fushën e stadiumit Wembley natën para takimit me Anglinë në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian 2020, për shkak të shqetësimeve se sipërfaqja e fushës mund të dëmtohet si pasojë e reshjeve në Londër.

Mediat gjermane e kanë quajtur skandal këtë vendim, duke thënë se ai i jep përparësi të padrejtë Anglisë, e cila i zhvilloi tri ndeshjet e fazës grupore në shtëpinë e vet, raporton Gazeta Express.

UEFA, ndërkohë, ka thënë se derisa i vjen keq, vendimi është i pashmangshëm dhe vlen për të gjitha ekipet që luajnë në Wembley në 1/8 e finales.

Stadiumi Wembley ku Anglia e pret Gjermaninë të martën pasdite

As lojtarët e Austrisë dhe Italinë nuk ishin lejuar të mbanin seancë stërvitore në fushën e Wembley para ndeshjes së tyre në 1/8 e finales të shtunën.

Parashikohet shi i madh dhe bubullima në 48 orët e ardhshme në Londër, para takimit të së martës në orën 18:00.

Gjermania do të detyrohet ta kryejë një seancë shtesë stërvitore në bazën e vet në Herzogenaurach, afër Nurembergut sot në mëngjes, para se të niset drejt Londrës pasdite.

Të ngjashme