Gjiganti italian interesohet për Zhegrovën

Prishtinë | 13 Pri 2022 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Edon Zhegrova e ka një lidhje të kamotshme me Milanin.

Ylli kosovar kishte qëndruar disa ditë në Itali për t’u provuar disa vite më parë kur ishte përzgjedhur si më i miri në “Milan Junior Camp” në Prishtinë.

Por, kjo dashuri mund të kurorëzohet vetëm disa vite më pas – tash.

Mediat italiane shkruajnë se shefi i skautëve të “Rossoneri”, Geoffrey Moncada e ka veçuar Zhegrovën, të cilin synon ta transferojë në “San Siro”.

Sipas “Calciomercato”, zyrtari i klubit ka vënë bast për përfaqësuesin kosovar, i bindur se mund të “dhezë” në Milano, përcjell “Gazeta Express”.

Zhegrova ishte transferuar në Lille në muajin janar nga Baseli, ku ishte huazuar nga Genku.

Dhe, “Messi i Ballkanit”, siç e quajnë atë, i ka realizuar dy gola në gjashtë paraqitje me kampionin francez deri tash.

“Ai është një lojtar që gjithmonë e ka zgjuar interesimin e top-klubeve, ndërsa Arsenali dhe Barcelona e kanë pëlqyer në të kaluarën, ndërsa në Basel e mbylli eksperiencën prej 74 ndeshjeve me 11 gola e 17 asistime”, shkruan portali italian.

Zhegrova në Lille luajti edhe në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat në të tetën e finales, shkruan “Gazeta Express”.

“Calciomercato” vazhdon se Milani ia kishte vënë syrin Zhegrovës shumë më herët dhe se lojtari mund të përfundonte tek Kuqezinjtë qysh në janar të vitit 2019, pas paraqitjeve të tij të mira në Genk.

Por, duke e pasur parasysh moshën e tij të re, Zhegrova mund të përfundojë në Milan gjatë verës që vjen, ose në verën e vitit 2023. 

Të ngjashme