Gjilan, inaugurohet shtëpia e Lumnije Rullanit

Gjilan | 26 Gus 2017 | 14:23 | Nga

Komuna e Gjilanit në partneritet me Forumin e Femrave Shqiptare në Botë, me qendër në Suedi dhe në bashkëpunim me shoqatën “Feniks”, kanë dorëzuar qesat e shtëpisë së re për Lumnije Rullanin, e cila është kryefamiljare, nënë vetushqyese dhe për fat të keq edhe me aftësi në lëvizje.

Me këtë rast Hazir Mustafa, në emër të Komunës së Gjilanit, ka uruar Lumnijen, e cila përpos që është një nënë vetushqyese, kryefamiljare ka edhe problemin fizik të lëvizjes.

“Lumnija sot u bë me shtëpi të re. Ishte një rast shumë i rëndë. Si kryefamiljare dhe nënë vetushqyese, përpos kësaj brenge dhe aftësisë së kufizuar fizike, kishte edhe mungesën e kulmit mbi kokë. Komuna e Gjilanit sot po përuron shtëpinë e 46 me radhë për më pak se tri vjet nga gala mbrëmja humanitare e mbajtur në vitin 2014. Gjithashtu kemi renovuar mbi 30 shtëpi dhe jemi duke paguar qeratë mujore edhe për 45 familje të tjera. Lumnija dhe vajza e saj, tani përpos festës për hyrjen në shtëpi të re edhe festën e Bajramit dhe festa të tjera do t’i presin si duhet e me kushte më të mira”, ka thënë kryesuesi i Komunisionit Komunal për Banim Social, Hazir Mustafa.

Ndërsa Milaim Jashari, kryetar i shoqatës “Feniks”, ka thënë se nuk ka gëzim më të madh se sa të jesh pjesë e ndërtimit të një shtëpie për familje pa kulm mbi kokë.

“Shoqata “Feniks”, është ndërmjetësuese e ndërtimit të shumë shtëpive në gjithë Kosovën. Kjo që po përurohet është e 210-ta me radhë. Ne do të vazhdojmë tutje dhe urojmë që donatorët të rriten përditë e më shumë, sepse raste të rënda ka shumë në Kosovë, që kanë nevojë për mbështetje”, ka thënë ai mes tjerash.

Ndërsa në emër të Forumit të Femrave Shqiptare në Botë, kanë folur Drita Shaqiri dhe Afërdita Jusufi, të cilat kanë bërë thirrje për mbështetje të familjeve në nevojë në Kosovë dhe njëkohësisht kanë paralajmëruar se aksioni i tillë humanitar do të vazhdoj edhe më tutje.

Poashtu ato kanë bërë thirrje për të gjithë ata që kanë mundësi që të ndihmojnë sa më shumë familje, sepse të gjithë kanë të drejtë të jetojnë një jetë më të mirë.

Lumnije Rullani, në fjalën e saj para të pranishmëve, nuk ndalte dot së falënderuari të gjithë ata që e bënë me shtëpi.

“Kam kaluar jetën nëpër shtëpi të huaja. Komuna e Gjilanit për më shumë se dy vjet është duke u përkujdesur për mua dhe vajzën time. Nuk kam besuar asnjëherë, por ja sot jam bërë edhe me shtëpi të re, me kushte më të mira dhe uroj që të gjithë ata që më kan ndihmuar mua të kenë vetëm ditë të mira, shpresoj shumë që edhe familjet tjera në gjendjen sikur unë të bëhen me kulm mbi kokë”, ka përfunduar ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme