Gjinekologjisë i shtohet Fertilizimi i Asistuar Mjekësor, shërbim që kryhej vetëm në klinika private

Prishtinë | 22 Mar 2023 | 11:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën kanë vizituar Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM), raporton Ekonomia Online.

Fertilizimi i asistuar mjekësor është frytnimi i asistuar mjekësor me ç`rast përdoren qelizat riprodhuese personale të të dy bashkëshortëve, e deri më tani ky shërbim për qytetarët e Kosovës mund të kryhej vetëm në klinika private.

Presidentja Osmani së bashku me ministrin Vitia e cilësuan këtë shërbim shumë të rëndësishëm për qytetarët, teksa thanë se janë të lumtur që do t’u mundësohet pa pagesë, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani.

Presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë që ka ky shërbim, duke shtuar se deri tani një shërbim i tillë u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës rreth 5 milionë euro.

“Klinika e gjinekologjisë do të fillojë të ofrojë shërbime të njohura si Fertilizim të Asistuar Mjekësor, një shërbim që çifteve në republikën tonë deri tani u ka kushtuar diku rreth 5 milionë euro dhe që tani e tutje pas procedimit dhe me blerjen e aparaturave e cila siç diskutuam edhe me ministrin pritet të përfundojë gjatë këtij viti”, tha Osmani.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur se për aparaturat për këtë shërbim janë ndarë mbi 1 milion e gjysmë euro.

“Nga Ministria e Shëndetësisë tash janë ndarë mbi 1 milion e gjysmë euro për kompletimin e aparaturave që gjatë këtij viti çiftet nga republika e Kosovës të kenë mundësi që këtë shërbim kaq të domosdoshëm të kenë mundësi ta marrin pa para edhe në klinikën e gjinekologjisë”, deklaroi Vitia.

Njëjtë u shpreh edhe drejtori i klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, tha se ky repart është i përfunduar nga ana infrastrukturore dhe që presin vetëm investimet ose sjelljen e aparaturave që të fillojnë punën.

“Ne premtuam se nga ana jonë puna do të fillojë sa më shpejtë dhe jemi të gatshëm. Brenda këtij viti besoj që do të fillojmë punën dhe do të mbesin të kënaqur edhe pacientët me këtë shërbim që është shumë i rëndësishëm për popullatën tonë dhe shumë i nevojshëm ku e dimë që është një procedurë mjekësore shumë e shtrenjtë dhe do të kursejë shumë buxhetin e popullatës”, u shpreh Ndrejaj.

Të ngjashme