Një person është gjobitur me 500 euro nga Policia në Ferizaj, pasi dyshohet se kishte djegur materiale të ndryshme në oborrin e një shtëpie në fshatin Sojevë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe rrezik për përhapjen e zjarrit.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti është raportuar më 16 gusht, rreth orës 22:00, pas ankesave të qytetarëve për djegien e materialeve në një oborr në rrugën “Bau Beiden”.
Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar personin e dyshuar, SH.SH., 55-vjeçar.
Policia ka bërë të ditur se ndaj tij është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh, në bazë të Ligjit Nr. 08/L-071, neni 49.
Masa është shqiptuar për shkak të ndotjes së mjedisit dhe rrezikut që zjarri paraqiste për pronat përreth.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te qytetarët që të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre, ndotje të mjedisit apo rrezikim të pronës dhe jetës, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.
Rastet e tilla mund të raportohen në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke theksuar se informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë.