“Menaxheri bashkëkohor i institucioneve arsimore në Kosovë” është libri më i ri i profesorit universitar, njëherësh i studiuesit të gjuhës shqipe dhe të institucioneve bashkëkohore arsimore, Ragip Gjoshit, i cili është botuar këtë javë nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”.
Ky punim shkencor, me titull “Menaxheri i institucioneve të arsimit në Kosovë në shekullin XXI (Menaxhimi dhe udhëheqja arsimore në dritën e reformës në Kosovë)”, ka qenë paraqitur për punim të diplomës të doktoratës dhe është mbrojtur në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, me ç’rast autori për herë të dytë, pas doktoratës së parë të mbrojtur në Universitetin e Tiranës për gjuhësi, ka marrë titullin doktor shkence për menaxhim të institucioneve.
Recensentja e këtij libri, prof. asoc. dr. Azeta Tartaraj, ka thënë se libri i prof. dr. Gjoshit është cilësor dhe me vlera të mëdha në këtë fushë të kërkimit. Ajo ka vlerësuar se ky libër vjen në kohën e duhur për studentët dhe për drejtuesit e arsimit në Kosovë. “Ky libër shpërfaq para nesh një hulumtues, analizues dhe studiues vizionar dhe të përgatitur, i cili, me teori dhe me praktikë, rekomandon dhe propozon politika të udhëheqjes së institucioneve arsimore, të cilat duhet të përdoren matshëm dhe saktë nga ata që synojnë të bëhen menaxherë dhe drejtues të institucioneve arsimore.
Prandaj, ndër objektivat kryesore të këtij libri studimor janë: Analiza e literaturës elitare ndërkombëtare, me synim identifikimin e metodave të kërkimit dhe të modeleve që përdoren për ndërtimin e profilit të menaxherit të një institucioni arsimor; Analiza e situatës, identifikimi dhe vlerësimi i mënyrave dhe modeleve për menaxhimin aktual të institucioneve të sistemit të arsimit në Kosovë; Identifikimi i faktorëve dhe grupfaktorëve që ndikojnë dhe duhet të mbahen në konsideratë gjatë procesit hulumtues për ndërtimin e modelit të menaxherit të ardhshëm të institucioneve arsimore në Kosovë; Ndërtimi i modelit dhe profilit të menaxherit të institucioneve arsimore të cilët optimizojnë efektet e të gjithë faktorëve që ndikojnë në suksesin e procesit menaxherial në institucionet e ndryshme të arsimit në Kosovë; dhe Përcaktimi i prioriteteve në fushën e legjislacionit dhe për zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme për ndërtimin dhe implementimin e modelit të menaxherit/drejtuesit të ardhshëm të institucioneve arsimore në Kosovën e shek. XXI”, ka shkruar dr. Azeta Tartaraj për këtë libër.
Edhe recensenti tjetër, prof. asc. dr. Hamdi Hoti, ka vlerësuar se “në këtë libër, që është i domosdoshëm për studentë të drejtimeve arsimore, arrihet të përmbushet mungesa e kësaj literature në gjuhën shqipe dhe autori duhet falënderuar për përkushtimin shumë serioz dhe për platformën shkencore që sjell para nesh se si duhet të udhëhiqen institucionet arsimore bashkëkohore në Kosovë”.
Shënime për Ragip Gjoshin
Ragip H. Gjoshi (1957-) është doktor shkence dhe profesor në universitet. Përpos që ka përfunduar studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, ka diplomuar edhe për Komunikim Masiv në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në dy fakultete në Kosovë: në Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Një doktoratë e ka mbrojtur dhe marrë për studime të gjuhës në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, në Departamentin e Gjuhësisë, në të cilin ka doktoruar me punimin e diplomës me temën “Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kosovë: (Nga Rilindja Kombëtare Shqiptare deri në ditët e sotme)”. Është bërë doktor për menaxhim të institucioneve për herë të dytë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Fakultetin Ekonomik në Durrës, me temën e diplomës “Menaxheri i institucioneve të Kosovës në shekullin XXI”. Deri tash ka botuar librat: “Dasmë në male” (dramë, 1985), “Fragment nga ditari i maleve” (poezi, 1996), “Gjaku i bërë dritë” (biografi dëshmorësh, 2012), “Kundërshtimi i copëzimit të Kosovës” (publicistikë, 2011) dhe “Udhët e shpirtit” (poema, 2011), “Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kosovë (aspekte historike dhe didaktike)” (2016). Tash po përgatit për botim edhe një libër me poezi, të cilat i ka botuar gjatë viteve ’80 në gazetat e përditshme shqipe dhe në shtypin periodik në Kosovë dhe në Maqedoni.