Nga monografia “Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kosovë” (19)
Prof. dr. Ragip Gjoshi
Për vitet që po trajtojmë në këtë monografi (që nuk bëjnë një shekull të mësimdhënies institucionale) të mësimdhënies së gjuhës shqipe, në Kosovë janë hartuar shumë pak tekste të metodikës dhe didaktikës së gjuhës shqipe dhe tekste që përfshijnë veprimtarinë metodike, njohuritë teorike dhe praktike, të cilat pasqyronin përvojën e shkollës sonë për procesin mësimor dhe punën edukative që bëhet në orët e gjuhës shqipe.
Sepse ndihma për mësimdhënësit në përgatitjen e tyre teorike, lëndore e profesionale, e udhëzuese për të ndërtuar e zbatuar drejt tërë sistemin e mësimdhënies, duke përfshirë punën brenda dhe jashtë klasës, ishte e mangët.
Ndërkaq, ndihmesë të madhe në këtë drejtim kanë dhënë edhe shkollat normale në Kosovë, shkollat e larta pedagogjike dhe Fakulteti i Filologjisë dhe Fakulteti i Edukimit, për ta njohur metodikën dhe për ta kultivuar te mësuesit e gjuhës shqipe ndjesinë e qartë të detyrave që shtronte mësimi i gjuhës shqipe në shkollat tetëvjeçare dhe shkollat e mesme, për formimin gjuhësor të nxënësve, për zhvillimin e gjithanshëm dhe edukimin politik, mendor, moral e estetik të tyre.
Gjatë gjithë kohëve qëkur është mësuar gjuha shqipe në institucionet arsimore të Kosovës, ajo ishte dhe vijon të jetë një nga lëndët kryesore në shkollë. Ajo kishte dhe vazhdon të ketë rëndësi të madhe arsimore, edukative dhe praktike.
Lënda e gjuhës shqipe i pajis nxënësit me njohuri shkencore gjuhësore, i aftëson ata për ta përvetësuar gjuhën amtare në shkallën më të lartë, ua formon shprehitë gjuhësore në të folur dhe në të shkruar.
Nëpërmjet lëndës së gjuhës shqipe, nxënësit njohin format dhe ndërtimet e gjuhës së gjallë të popullit, mjetet e saj shprehëse, bukurinë dhe begatinë e saj, përvetësojnë gjuhën letrare, edukohen me ndjenjën e patriotizmit e të dashurisë për gjuhën amtare. Lënda e gjuhës shqipe luan rol të veçantë edhe në zhvillimin mendor të nxënësve, ndikon në veçoritë psikologjike të tyre dhe “…në dashurinë për gjuhën amtare, ndjenjën e përgjegjësisë dhe qëndrimine ndërgjegjshëm ndaj saj”.
Sipas programit mësimor të lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe janë përcaktuar edhe detyrat e mësimit dhe studimi i gjuhës që forcon arsyetimin gjuhësor dhe të menduarit logjik dhe kritik të nxënësve, sepse mbështetet në një punë të vazhdueshme që kërkon analizë e sintezë, vëzhgime, krahasime, ballafaqime dhe përgjithësime të fakteve e të dukurive gjuhësore, sistematizim të materialit gjuhësor të mësuar.
Puna e vazhdueshme, sistematike dhe e shkallëzuar, këmbëngulëse dhe e programuar për të siguruar jo vetëm përvetësimin e shëndoshë e aktiv për të formuar e për t’i forcuar shprehitë gjuhësore, në të folur e në të shkruar, forcon kujtesën dhe vëmendjen e nxënësve, zgjon interesin për punë, shton pjesëmarrjen aktive në mësim dhe në punën e pavarur, nxit aftësitë e tyre krijuese.
Qëllimi i të mësuarit të gjuhës shqipe në shkollë nuk ishte vetëm studimi i teorisë së gjuhës, i strukturës gramatikore të shqipes, por kryesisht krijimi i shprehive gjuhësore praktike të mbështetura mbi një bazë të vetëdijshme. Prandaj, “mësimdhënësi gjatë procesit të përvetësimit të gjuhës, të ndërtimeve të saj, të mënyrave të operimit me njësitë e saj, është e nevojshme që elementet përbërëse të sqarojnë mirë.
Për këtë duhet praktikë e bollshme dhe ushtrime që sigurojnë automatizimin e formave dhe krijimin e shprehive gjuhësore dhe formimin e personalitetit të nxënësve”.
Gjuha shqipe, si lëndë mësimore në klasat V-VIII të shkollës tetëvjeçare dhe në shkollë të mesme I-IV, nga klasa në klasë i pajiste nxënësit me njohuri fillestare rreth fonetikës, morfologjisë e sintaksës, leksikut e stilistikës gjuhësore, si dhe me shprehitë praktike shqiptimore, drejtshkrimore e të pikësimit, me shprehi të ligjëratës së folur dhe të shkruar. Kështu, nëpërmjet kësaj lënde nxënësit familjarizoheshin me natyrën dhe me ndërtimin e fjalës në gjuhën shqipe, me përdorimin e saktë të saj në ligjërim.
PLANIFIKIMI I LËNDËS SË GJUHËS SHQIPE
a. Hallkat kryesore të orës së mësimit në lëndën e Gjuhës shqipe
Në lëndën e Gjuhës shqipe programi mësimor përfshinte vëllimin e njohurive sipas lëmenjve nga klasa I-VIII në shkollat fillore dhe nga I-IV në shkollat e mesme të Kosovës. Pasi planifikoheshin përmbajtjet programore nga mësimdhënësit, duke u mbështetur në kërkesat e programit duhej të lexohej literaturë ndihmëse dhe tekstet shkollore (Libër leximi, Gramatika, Teoria e letërsisë etj). Më pastaj nxirret lënda mësimore nga këto tekste për gjuhë dhe për letërsi. Për ta realizuar qëllimin dhe synimet e planit dhe programit në shkollat e Kosovës janë aplikuar disa tipa të orëve të mësimit:
• Ora e mësimit të paraqitjes së njohurive të reja – shpjegimi i lëndës (së re)
• Ora e mësimit e kombinuar
• Ora e mësimit e përsëritjes (ushtrime dhe përforcime)
• Ora e verifikimit (kontrollit) të njohurive të nxënësve.
Shpjegimi i lëndës (së re) përbën hallkën themelore, nga e cila varet rendimenti i orës së mësimit. Për këtë, vëmendja përqendrohej:
• Në trajtimin dhe në shpjegimin shkencor të njohurive gjuhësore, në kapjen pas çështjeve themelore të çdo teme
• Në vendosjen e raporteve të drejta ndërmjet njohurive teorike dhe materialit praktik, ilustrues dhe ushtrues
• Në shpjegimin e qartë dhe në zbërthimin e çështjeve kyçe të mësimit, të rregullave dhe të përkufizimeve
• Në paraqitjen e lëndës me një gjuhë të pastër, të kuptueshme e letrare.
Mësimdhënësi, para se ta shpjegonte lëndën e re, duhej ta hartonte plankonspektin (përgatitjen me shkrim për çdo orë mësimore) sipas dispozitave ligjore. Në 42-orëshin e punës javore, 12 orë pune i përllogariteshin për përgatitjet e bëra me shkrim.
b. Etapat (struktura) e zhvillimit tradicional të mësimit të gjuhës shqipe
Etapat (struktura) e zhvillimit të mësimit të gjuhës, të cilat përcaktoheshin në mësimdhënien e gjuhës shqipe për nxënësit (varësisht nga mosha-klasat dhe planprogrami mësimor) dalloheshin nga rëndësia, disa ishin më kryesore nga ato më pak të rëndësishme. Në shkollën tetëvjeçare (sipas planeve dhe programeve mësimore që ndërronin shpesh), lënda e gjuhës shqipe përsëritej nga klasa në klasë, duke u shtuar dhe duke u zgjeruar rrethi i njohurive gjuhësore deri në klasën e XII (përfundimin e shkollimit të mesëm). Etapat kryesore nëpër të cilat kalonte zhvillimi i mësimdhënies tradicionale në lëndën e gjuhës shqipe në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX ishin:
I. Hyrja dhe pjesa përgatitore e orës:
Kontrollimi i detyrave të shtëpisë (a. individual, b. frontal)
II. Pjesa kryesore e orës mësimore:
III. Pjesa përfundimtare e orës mësimore
Dhënia e detyrave të shtëpisë
Përforcimi (gojor dhe me tekstin).
Metodat mësimore në lëndët e Gjuhës shqipe
Vetë fjala metodë vjen nga greqishtja “methodos”, që do të thotë mënyrë, rrugë ose procedim me të cilin arrihet te qëllimi për realizimin e detyrave të caktuara. “Mënyra me anë të të cilave gjatë procesit të të mësuarit mësimdhënësi i mëson dhe edukon nxënësit, u jep dituri, i kontrollon ato dhe i forcon, mënyra se si ai i bën nxënësit të zotë për punë të pavarur duke zhvilluar aftësitë dhe fuqitë e tyre mendore, si dhe mënyrat me anën e të cilave nxënësit pajisen me dituri, shkathtësi dhe shprehi, quhen metoda të të mësuarit”. Mbështetur, kryesisht në arritjet teorike të didaktikës jugosllave, në Kosovë gjatë viteve 1945-1990 kryesisht janë përdorur këto metoda të mësimit:
1. Metoda monologe (kallëzimi i mësimdhënësit)
2. Metoda dialoge (e bashkëbisedimit)
3. Metoda e tekstit
4. Metoda e demonstrimit (konkretizimit)
5. Vëzhgimi i fakteve gjuhësore.
Varësisht nga tipi i orës mësimore praktikoheshin edhe metodat në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Kosovë. Çështja shtrohej në nevojën si të formohen nxënësit, si qytetarë të përgatitur për ndryshimet që po ndodhin me hapa në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, rrjedhimisht edhe në strukturat organizative të institucioneve. Gjithçka për një qëllim: “Aftësimi i individit për një jetë cilësisht më të mirë, zhvillimi i shoqërisë dhe i ekonomisë, duke zhvilluar kompetencat e burimeve njerëzore në nivelin që kërkon shoqëria demokratike dhe tregu i punës”. Gjithçka përcaktohet në metodë. Rëndësia qëndron jo vetëm në informacione, por edhe në mënyrën si ato përcillen te nxënësit.
Qëllimet e njësisë mësimore dhe format e punës gjatë mësimdhënies
Ndër qëllimet e mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqipe zbatoheshin:
1. Qëllimi arsimor
2. Qëllimi edukativ
3. Qëllimi funksional
4. Qëllimi praktik.
Në procesin mësimor tradicional, në orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si në gjithë gjuhët amtare të republikave të një shteti, në të cilin Kosova “bashkëjetoi” dhunshëm, u aplikuan këto forma të punës mësimore:
1. Forma frontale
2. Forma individuale
3. Forma e punës në grupe
4. Forma tandem ose dyshe.
Secila nga këto forma të punës kishin përparësitë dhe mangësitë, për të cilat mësimdhënësit kujdeseshin që të zbatonin atë që i përshtatej përmbajtjes së njësisë mësimore.
Parimet didaktike në lëndën e Gjuhës shqipe
Megjithëse studiues të ndryshëm japin parime të ndryshme të didaktikës, të gjithë kanë afërsisht një emërues të përbashkët. Në praktikën pedagogjike të Kosovës shquhet përdorimi i “parimit të ndërlidhjes, i konkretizimit, përshtatshmërisë, sistematizimit e shkallë-shkallëshmërisë, racionalizimit e ekonomizimit, i aktivitetit të vetëdijshëm, dhe parimi lidhmërisë së teorisë me praktikën”. Por, secili prej tyre solli diçka të re në fushën e didaktikës, e pasuroi atë me dukuri, parime e ligjësi të ndryshme të të gjithë procesit të edukimit. Tek ne do të shquhej Aleksandër Xhuvani, i cili, ndër parimet didaktike themelore, pati përcaktuar: të mësuarit në mënyrë të natyrshme, sipas psikologjisë së fëmijëve; të mësuarit në mënyrë intuitive, të kuptueshme, interesante, në mënyrë që nxënësit të vetëveprojnë; të mësuarit në mënyrë të qëndrueshme dhe praktike etj. Parimet që karakterizuan shkollën e Kosovës ishin: karakteri shkencor dhe sistematik i të mësuarit, të mësuarit e vetëdijshëm dhe aktiv, të mësuarit e qëndrueshëm; të përshtaturit e të mësuarit sipas moshës dhe trajtimi i diferencuar i nxënësve; lidhja e teorisë me praktikën, pra të mësuarit sipas modeleve jetësore, dhe të mësuarit nëpërmjet argëtimit, lojës, kërkimit etj.
Në Kosovë, me vullnetin politik dhe kombëtar e shtetëror të përafrimit të mësimdhënies dhe të programeve, (por edhe shkaku i mungesës së teksteve të didaktikës dhe metodikës, por edhe të librave të mësuesit) aktualisht dominon përdorimi i teksteve të didaktikës nga Republika e Shqipërisë. Kështu, për t’u realizuar synimet në mësimin e gjuhës shqipe respektohen këto parime:
• Parimet e përgjithshme
• Parimet shkencore
• Parimet didaktike.
Çdo parim përbën në vetvete një sintezë kërkesash. Parimi i përshtatjes së të mësuarit, i cili mbështetet në vlerësimin e drejtë të veçorive të moshës, si dhe në nivelin e zhvillimit të përgjithshëm të nxënësve, kërkon edhe përshtatjen e përshkallëzuar të dhënies së njohurive dhe të shprehive, duke u mbështetur edhe në rregulla të tilla, si: kalimi nga e lehta tek e vështira, nga e afërta tek e largëta, nga e njohura tek e panjohura etj. Në procesin e të mësuarit marrin pjesë dy aktorë kryesorë: mësuesi, pra drejtuesi, udhërrëfyesi në kuptimin figurativ, dhe vetë objekti i këtij procesi, pra nxënësit. Në vështrim të përgjithshëm, didaktika jep teorinë e të mësuarit, në planin e veprimtarisë së organizuar të një sistemi arsimor të përcaktuar, veprimtarinë konkrete të punës së shkollës brenda kurrikulës së miratuar, tashmë Korniza kurrikulare, sipas linjave të studimit: Të parit, të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit, të shkruarit dhe njohuritë gjuhësore. (Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)