Nga debati në sharje dhe në ofendime. Nga fyerjet në sulme dhe në përleshje fizike. Kështu janë duke funksionuar disa prej kundërshtarëve politikë gjatë javëve të fundit para zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Një praktikë e tillë është dënuar ashpër nga shoqëria civile, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Afrimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka shtuar fyerjet, ofendimet dhe përplasjet verbale mes kundërshtarëve politikë.
Në kuadër të parafushatës që po zhvillojnë kandidatët për deputetë të subjekteve politike, ditëve të fundit kanë ndodhur edhe përplasje fizike mes tyre. Haki Abazi, kandidat për deputet nga LVV-ja, ka akuzuar ish-deputetin e PSD-së Dardan Molliqajn për sulm fizik të ushtruar ndaj tij pas xhirimit të një emisioni televiziv.
Por një gjë të tillë e ka mohuar Molliqaj, i cili ka thënë se asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim, përpos zhvillimit të një debati të ashpër publik, i cili në vazhdimësi është përcjellë me tensione.
Por është evidente se diçka ka ndodhur dhe se me këtë rast po merren organet e drejtësisë. Pra, ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, përfaqësuesit e partive politike nuk po kursehen nga propaganda dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes karshi njëri-tjetrit.