Profesori universitar Gëzim Qerimi ka ngritur shqetësime lidhur me përdorimin e gjuhës më të ashpër që në disa raste ka shkuar edhe në fyerje, gjatë fushatave elektorale Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Qerimi thotë se kjo gjuhë është jashtëzakonisht e dëmshme për shoqërinë, pasi nxit përçarje mes qytetarëve, familjeve dhe grupeve të ndryshme shoqërore.
Sipas Qerimit, megjithëse fushatat zgjedhore karakterizohen nga debate më të ashpra, partitë politike duhet të respektojnë standardet morale dhe etike duke shmangur gjuhën nxitëse dhe ofenduese.
“Gjuha e urrejtjes dhe gjuha ofenduese është jashtëzakonisht e dëmshme në shoqëri, ndikon në përçarjen brenda qytetarëve dhe brenda familjeve shqiptare dhe duhet që të gjitha partitë politike të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe nga gjuha ofenduese. E kuptoj që fushatat elektorale e kanë një dinamikë ndryshe, kritikat mund të jenë më të ashpra, debati mund të jetë më i fuqishëm, megjithatë duhet t’iu mirëmbahemi disa standardeve morale dhe etike që të mos ofendojmë dhe të mos përdorim gjuhë të urrejtjes. Të gjithë ne jemi dëshmitarë që gjuha e urrejtjes, përveç që nxit diskriminim, në të njëjtën kohë mund të nxisë edhe dhunën brenda shoqërisë. Pra, partitë politike është mirë që ta kuptojnë një gjë të tillë. Është mëse e vërtetë që gjuha e urrejtjes me vite të tëra, por në fushatat e fundit elektorale aplikohet jashtëzakonisht shumë nga militantët e VV-së, por ajo që është më shqetësuese është edhe nga drejtuesit e lartë të institucioneve, duke përfshirë edhe ministrat në detyrë, edhe deputetët e Kosovës. Në realitet kjo ndikon negativisht, shumë negativisht, në shoqërinë tonë, ka deklaruar Qerimi.
Ai paralajmëroi se gjuha që ndonjëherë përdoret në fushata, do të ketë pasoja.
“Sot qytetarët e Kosovës kanë me dhjetëra probleme të cilat janë shqetësime reale dhe në realitet do të duhej që të ishte diskutimi për alternativa, plane, programe dhe për zgjidhje të problemeve të qytetarëve, dhe jo të vazhdojë tutje përçarja brenda shoqërisë. Nëse vazhdon një gjuhë e tillë, pres që të ketë pasoja të paparashikueshme me të cilat do të duhej të menaxhojë edhe aspekti i sigurisë kombëtare. Është krijuar një klimë shumë toksike në Kosovë si rezultat i përdorimit të kësaj gjuhe. Nuk do të thotë se nuk kanë përdorur edhe partitë tjera, por në realitet zanafillën e gjuhës së urrejtjes dhe ofenduese në raport me çdokënd që mendon ndryshe, qoftë edhe kundërshtarët politikë, pa i përjashtuar edhe gazetarët, shoqërinë civile dhe çdo qytetar që mendon ndryshe, arma më e fortë ka qenë ngjimi publik, gjuha ofenduese dhe gjuha e urrejtjes. Ky subjekt politik, nëpërmjet terrorit dhe gjuhës së urrejtjes, dëshiron me çdo kusht të mbetet në pushtet,” theksoi profesori.
Qerimi thotë se gjuha e debatet më të ashpëra janë instaluar nga Vetëvendosje.
“Vlerësoj që institucionet që zbatojnë ligjin duhet të trajtojnë një fenomen të tillë, sepse edhe me Kushtetutë dënohet gjuha e urrejtjes dhe ka penalizim për këtë çështje. E vërteta është se i gjithë pushteti ekzekutiv sot është në duart e njerëzve të VV-së dhe është një tendencë ta legalizojnë një gjuhë të tillë, kjo është edhe më problematike. Instalon frikë te qytetaria”, shtoi ai.
